Lufta më e shkurtër në histori, nisi në orën 9 të mëngjesit të 27 gushtit 1896 dhe përfundoi në më pak se treçerek ore, me një bilanc tronditës prej 501 ushtarësh të vrarë ose të plagosur.

Kjo është historia jo shumë e njohur e Luftës Angli-Zanzibar.

Historia nisi në vitin 1890 me nënshkrimin e traktatit Heligoland-Zanzibar midis Britanisë dhe Gjermanisë. Gjermanisë iu dha kontrolli mbi Tanganikën (Tanzania e sotme), ndërsa Zanzibari iu dorëzua britanikëve.

Një nga planet kryesore që kishte Britania për Zanzibarin, ishte shfuqizimi i skllavërisë. Por ky veprim i zemëroi tregtarët e pasur dhe klasën sunduese. Britania e shpalli Zanzibarin një protektorat të Perandorisë Britanike dhe instaloi Sulltanin e saj ‘kukull’ për t’u kujdesur për rajonin.

Hamad bin Thuwaini, i cili kishte qenë një mbështetës i britanikëve në zonë, mori pushtetin në 1893.

Konflikti

Hamadi sundoi për pak më shumë se 3 vite derisa vdiq më 25 gusht 1896 papritur në pallatin e tij. Megjithëse e vërteta për vdekjen e tij nuk do të dihet kurrë plotësisht, besohet gjerësisht se kushëriri i tij, Khalid bin Barghash e helmoi atë.

Kjo edhe për faktin se brenda pak orësh pas vdekjes së Hamadit, Khalid tashmë ishte ulur në postin e Sulltanit, të gjitha pa miratimin britanik. Eshtë e panevojshme të thuhet se diplomatët vendas britanikë nuk ishin aspak të kënaqur me këtë kthesë të ngjarjeve dhe kryediplomati Basil Cave, deklaroi shpejt se Khalid duhet të largohej, raporton abcnews.al.

Khalid i injoroi këto paralajmërime dhe në vend të kësaj filloi të mblidhte forcat e tij rreth Pallatit. Këto forca ishin çuditërisht të armatosura mirë, megjithëse vlen të përmendet se shumica e armëve ishin në fakt dhurata diplomatike që Sulltani kishte marë ndër vite.

Nga fundi i 25 gushtit, pallati i Khalid mbrohej nga pothuajse 3000 mijë burra, disa armë artilerie dhe madje edhe një jaht mbretëror të armatosur modest në portin aty pranë.

Në të njëjtën kohë, britanikët kishin tashmë dy anije luftarake të ankoruara në port, HMS Philomel dhe HMS Rush , dhe trupat po dërgoheshin shpejt në breg për të mbrojtur Konsullatën Britanike dhe për të mbrojtur popullsinë vendase nga trazirat.

Edhe pse Cave kishte një prani të konsiderueshme të armatosur në port, ai e dinte se nuk kishte autoritetin për të krijuar armiqësi pa miratimin e shprehur të qeverisë britanike. Për t’u përgatitur për të gjitha eventet, ai i dërgoi një telegram Ministrisë së Jashtme atë mbrëmje ku thuhej: “A jemi të autorizuar në rast se të gjitha përpjekjet për një zgjidhje paqësore rezultojnë të padobishme, të sulmojmë Pallatin?”

Ndërsa priste një përgjigje nga Whitehall, Cave vazhdoi t’i lëshonte ultimatume Khalid, por pa dobi. Të nesërmen, dy luftanije të tjera britanike hynë në port, HMS Racoon dhe HMS St George , ku ndodhej admirali Harry Rawson, komandanti i flotës britanike në zonë. Në të njëjtën kohë, Cave kishte marrë një telegraf nga Whitehall. duke deklaruar:

“Ju jeni të autorizuar të miratoni çfarëdo mase që mund t’i konsideroni të nevojshme. Sidoqoftë, mos u përpiqni të ndërmerrni ndonjë veprim që nuk jeni të sigurt se do të jeni në gjendje ta kryeni me sukses.”

Ultimatumi i fundit, Khalidit iu dha më 26 gusht, duke kërkuar që ai të largohej nga pallati deri në orën 9 të mëngjesit të ditës tjetër. Atë natë, Cave kërkoi gjithashtu që të gjitha anijet joushtarake të largoheshin nga porti në përgatitje për luftë.

Në orën 8 të mëngjesit të ditës tjetër, vetëm një orë para përfundimi të ultimatumit, Khalid i dërgoi një përgjigje Cave duke thënë:

“Ne nuk kemi ndërmend të heqim flamurin tonë dhe nuk besojmë se do të hapni zjarr ndaj nesh.”

Cave u përgjigj me stilin e vërtetë diplomatik britanik të shekullit të 19-të, duke deklaruar se ai nuk kishte dëshirë të sulmonte pallatin “por nëse nuk zbatoni urdhërat me siguri do ta bëjmë”.

Kjo ishte fjala e fundit nga Khalid dhe në orën 9 të mëngjesit u dha urdhri që anijet britanike në port të fillonin bombardimin e pallatit. Nga ora 09:02 pjesa më e madhe e artilerisë së Khalidit ishte shkatërruar dhe struktura prej druri e pallateve kishte filluar të shembet me 3000 mbrojtës brenda.

Pikërisht në këtë kohë, dy minuta pas fillimit të bombardimeve, thuhet se Khalid u arratis nga një dalje e pasme e pallatit, duke i lënë shërbëtorët dhe luftëtarët e tij të mbronin vetëm pallatin. Në orën 09:40, bombardimet mbaruan, flamuri i Sulltanit u rrëzua dhe lufta më e shkurtër në histori kishte përfunduar zyrtarisht pas vetëm 38 minutash, raporton abcnews.al.

Për një luftë kaq të shkurtër, shkalla e viktimave ishte çuditërisht e lartë me mbi 500 luftëtarë të Khalid të vrarë ose të plagosur, kryesisht për shkak të predhave që shkatërruan strukturën e dobët të pallatit.

Një oficer i vogël britanik gjithashtu u plagos rëndë, por arriti të shpëtonte. Tashmë Britania e Madhe ishte e lirë të vendoste Sulltanin pro-britanik Hamud në fronin e Zanzibarit dhe ai qëndroi në pushtet për gjashtë vitet e ardhshme.

Sa i përket Khalidit, ai arriti të arratisej me një grup të vogël ndjekësish besnikë në konsullatën lokale gjermane. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga britanikët për ekstradimin e tij, ai u dërgua jashtë vendit më 2 tetor nga marina gjermane në Tanzaninë e sotme.

Vetëm kur forcat britanike pushtuan Afrikën Lindore në 1916, Khalid më në fund u kap dhe më pas u dërgua në Shën Helena.

Pas ‘kohës së shërbimit’, ai u lejua të kthehej në Afrikën Lindore ku vdiq në 1927.