Partia Socialiste ka nisur procesin e zgjedhjes së strukturave për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme vendore. Në një takim informues për zgjedhjet e brendshme, me anëtarët e asamblesë së PS në Njësinë 2, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh edhe drejtues politik i PS për qarkun e Tiranës, tha se PS është e gatshme të përballet me Sali Berishën dhe Ilir Metën në zgjedhjet e ardhshme. Ai theksoi se PS hyn në zgjedhjet vendore me një listën të gjatë punësh të mira dhe investimesh të kryera në Tiranë.
“Kemi një narrativë shumë të bukur të punëve që janë bërë edhe nga Qeveria, edhe nga Bashkia. Pastaj, bujrum, përballë le të vijë kush të dojë. Nëse e bëjnë më mirë, le të vijnë ta provojnë. Nëse janë këta të lodhurit, që i kemi pasur këto 30 vjet, le të kombinohen si të duan, tek e tek, apo bashkë, për sa kohë që skuadra jonë është fituese, të tjerat janë detaje të panevojshme”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se 20 qershori është afati i i fundit për të marrë të gjitha propozimet për zgjedhjet e brendshme në Partinë Socialiste, në mënyrë që më pas të jetë koha për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme. “Nga data 1 Qershor deri më datën 20 Qershor do kemi mundësi t’i dëgjojmë të gjitha propozimet. Kaluam vitet 90-të, vitet e sakrificës, kaluam edhe vitet e opozitës me Saliun dhe Ilirin përballë që të vrisnin në Bulevard, por sot nuk i themi dot 10-vjeçarit të 2015-ës, i cili do të votojë për herë të pare në 2023, kujdes Saliun dhe Ilirin. Me shpresë se këtë do t’ia thotë libri i histories, tek faqet e zeza apo do t’i dëgjojë nga prindërit, por detyra jonë nuk është të shajmë ata. Ne kemi detyrë tjetër: ne themi si do të përmirësohemi, si do të ecim më lart dhe si do ta hapim partinë edhe për të rinjtë”, nënvizoi ai.
Drejtuesi politik i PS për qarkun e Tiranës komentoi edhe çështjen e zgjedhjes së Kreut të ri të Shtetit, kur theksoi se tashmë vendi ka një President normal, që nuk do të shtyjë as datën e zgjedhjeve.
Në përfundim të këtij procesi, Partia Socialiste synon hapjen, ripërtëritjen dhe rienergjizimin e çdo strukture të saj nëpërmjet bashkëkryesisë, ku gratë dhe vajzat kanë një mundësi më shumë për të fuqizuar rolin dhe zërin e tyre në strukturën organizative të PS.