Nga Mero Baze/
Këto janë tre pyetjet që shoqërojnë përfundimin e protestës së parë, të Berishës së tretë, në krye të PD. Pyetja e parë retorike është: A e pa SHBA? Sidomos a e pa kjo ambasadorja në Tiranë, se me këtë nuk u del e keqja. Natyrisht që e kanë parë dhe janë të kënaqur që protesta nuk përfundoi në dhunë, si kërcënonte Berisha.
Por pyetja në fakt zbulon arsyen dhe motivin kryesor përse u bë protesta. Ajo u bë t’i tregojë SHBA se Sali Berisha ka mbështetës me vete ndaj duhet amnistuar.
Kur SHBA mori vendimin që Sali Berisha është minues i demokracisë dhe bashkë me tre pjesëtarë të familjes është i përfshirë në korrupsion madhor, natyrisht e dinte që Sali Berisha kishte mbështetës. Dhe nuk e ndëshkoi t’i heqë mbështetësit, por që të ndëshkohet. Mbështetësit janë të lirë të shkojnë pas tij deri në varr, ose pas derës së burgut.
Kjo nuk e shqetëson SHBA. Kjo duhet të shqetësojë shoqërinë shqiptare, e cila nuk duhet të përfaqësohet nga një grusht njerëzish të rrjedhur që kanë marrë përsipër t’i japin vendit imazhin e një vendi primitiv, ku një grusht talibanësh duan të shkëmbejnë SHBA, me Sali Berishën.
Pyetja e Berishëve: “A e pa SHBA sheshin?”, tregon arsyen e parë përse u thirr protesta.