Institutet hidrometeorologjike në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kroaci kanë lëshuar një alarm të kuq moti për 23 korrik, për shkak të temperaturave të larta.

Në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore Meteorologjike, popullata këshillohet të marrë masa paraprake në kushte të tilla moti. Është gjithashtu e mundur të ndërhyhet në rutinat e përditshme, prandaj aktivitetet në natyrë duhet të ndërpriten.

Instituti Federal Hidrometeorologjik ka njoftuar se një paralajmërim i kuq është në fuqi në Bosnje dhe Hercegovinë për 23 korrik, për shkak të paralajmërimit të temperaturave të larta.

Temperaturat ditore, sipas meteorologëve, do të jetë nga 34 deri në 41 gradë Celsius.

“Mot me diell në Bosnje dhe Hercegovinë. Pasdite rritje graduale e vranësisë. Temperatura më e lartë ditore nga 35 deri në 41 gradë, në jug deri në 42 gradë”, thuhet në parashikimin e Institutit Federal Hidrometeorologjik.

Edhe Instituti Republikan Hidrometeorologjik i Serbisë ka shpallur alarm të kuq për motin për 23 korrik në të gjithë vendin për shkak të temperaturave të larta.

Në Serbi temperaturat sot do të jenë nga 37 deri në 41 gradë.

Më 24 korrik, siç thuhet, temperatura duhet të bjerë me rreth pesë gradë dhe vende-vende priten reshje të dobëta shiu.

Temperatura jashtëzakonisht të larta priten në gjithë Kroacinë këtë fundjavës, për këtë arsye është shpallur alarmi i kuq i motit pothuajse në të gjitha rajonet, që tregon se moti paraqet një rrezik shumë të lartë.

“Priten temperatura jashtëzakonisht të larta. Mbroni veten, fëmijët dhe të moshuarit. Veproni sipas këshillave të dhëna nga autoritetet kompetente”, paralajmëroi Instituti Hidrometeorologjik Shtetëror i Kroacisë.

Alarmi i kuq i motit për datën 23 korrik është lëshuar në të gjitha rajonet, përveç Osijekut dhe Gospiqit, për të cilat është në fuqi një paralajmërim portokalli. Një paralajmërim i kuq është në fuqi për 24 korrik për rajonet e Kninit, Rijekës, Splitit dhe Dubrovnikut./R.E.L