Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka thënë se parku fotovoltaik që do të ndërtohet në Shqipëri, do të jetë një zgjidhje jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin.
Në një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit holandez që operojnë aktualisht në Shqipëri, si dhe me investitorë të rinj potencial, të interesuar për të zgjeruar aktivitetin e tyre në vendin tonë në sektorë me rëndësi, Balluku foli gjithashtu për investimet në infrstrukturë dhe tha që projekte të tjera do të fillojnë në mbështetje të turizmit.
“Ajo që është e rëndësishme është të flasim për bashkëpunimin tonë. Dua të ndalem te dy kompanitë që punojnë në vendin tonë, Shell dhe Royal Haskoning. Ata konkurruan me 40 kompani të tjera ndërkombëtare. Ne vlerësuam punën e shkëlqyer dhe ofertën më të mirë ekonomike. Ata kanë 8 muaj që punojnë me ne dhe po realizojnë projektin e portit të ri ndërkombëtar.
Të njëjtën rrugë kemi kaluar me Shell prej shumë vitesh dhe vazhdojmë të punojmë shumë ngushtë së bashku dhe gjithnjë e bëjmë duke hapur debate, bisedime. Kemi arritur të plotësojmë kërkesat e kompanisë me transparencë dhe në përputhje me legjislacionin e Sjqipërisë.
Shqipëria prodhon energji të ripërtëritshme, por do krijojmë burime të tjera, parqe fotovoltaike, mullinjtë e erës. Po punojmë të krijojmë një burim që të jetë në kontrollin tonë. Sepse jo të gjitha burimet e ripërtërithsme janë plotësisht në kontrollin tonë.
Parku fotovoltaik do jetë zgjedhje për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Jemi të angazhuar që të respektojmë agjendën e gjelbër dhe të krijojmë siguri energjetike për Shqipërinë dhe rajonin.
Shqipëria është një vend që rritet dita ditës. Jemi në një moment shumë dinamik për rezultatet në infrastrukturë.
Kemi nisur projektimin për procedurat e tenderit për korridorin blu që lidh Kroacinë me Greqinë. Infrastruktura është një nga shtyllat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Po japim rezultate çdo ditë nga kantierët e ndërtimit që kanë nisur prej kohëësh dhe synojmë projekte të tjera që mbështesin turizmin”, tha Balluku.