Banka e Shqipërisë bëri të ditur se në datën 30 shtator 2022, do të përfundojë kursi ligjor për kartëmonedhat sterlina prej letre me vlerë 20 dhe 50 £.

Referuar informacionit të Bankës së Anglisë, thekson BSH-ja, pas kësaj date do të kenë kurs ligjor vetëm kartëmonedhat prej polimeri (plastike) të këtyre prerjeve.

Sipas njoftimit të BSH-së, Banka e Anglisë nxit të gjithë mbajtësit kartëmonedhave në fjalë, qofshin ata individë apo institucionet financiare, t’i përdorin, depozitojnë ose këmbejnë këto kartëmonedha deri më datë 30 shtator 2022; ndërsa institucionet financiare, të ndërpresin hedhjen në qarkullim të këtyre kartëmonedhave pas datës 30 shtator 2022 dhe t’i kthejnë ato në Mbretërinë e Bashkuar.

Institucionet mbajtëse të këtyre kartëmonedhave duhet të vazhdojnë të përdorin ofruesit tregtarë, të tilla si bankat ose zyrat këmbimit valutor për t’i kthyer ose këmbyer ato.

Pas datës 30 shtator 2022, Banka e Anglisë do të vazhdojë të këmbejë kartëmonedhat e tërhequra. Gjithashtu, disa banka tregtare dhe zyra postare në Mbretërinë e Bashkuar mund t’i pranojnë këto kartëmonedha për depozitim, por mbajtësit e tyre nuk do të mund t’i përdorin si mjet pagese në transaksione tregtare.

“Ky proces do të jetë më i lehtë nëse të gjithë mbajtësit e kartëmonedhave veprojnë përpara kësaj date”, thekson në njoftimin e saj BSH-ja.