Ekonomia e Barcelonës vazhdon të rritet. Të paktën në afat të shkurtër. Klubi katalanas ka aktivizuar paketën e dytë, pasi ka lidhur marrëveshjen e radhës me kompaninë amerikane “Sixth Street” për shitjen e 15 për qind të të drejtave televizive për 25 vitet e ardhshme. Marrëveshja mes palëve kishte kohë që diskutohej, por tani është arritur plotësisht dhe do të injektojë menjëherë një total prej 400 milionë eurosh në arkat e klubit në “Camp Nou”.
Marrëveshja është konfirmuar zyrtarisht mëngjesin e kësaj të premteje. Lajmi i arkëtimit edhe të 400 milionë eurove të tjera ka gëzuar jo pak tifozët katalanas, të cilët presin të tjera përforcime në merkaton e klubit, që deri më tani ka bërë 5 afrime, përfshirë këtu Robert Levandovskin. Kjo është marrëveshja e dytë që Barcelona arrin me “Sixth Street” në harkun e pak muajve.
Në qershor Barcelona i kishte shitur kësaj kompanie 10% të të drejtave TV për 200 milionë euro, ndërsa tani kjo shifër ka arritur në 25% me një përfitim gjithsej prej 600 milionë eurosh që do të ndihmojnë klubin në afrimin e lojtarëve dhe në zvogëlimin e borxhit prej 1.2 miliardë eurosh. Pas arritjes së marrëveshjes për shitjen e 15% të të drejtave TV dhe arkëtimit të 400 milionë eurove, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është bërë protagonisti i ditës edhe në SHBA. Që nga Las Vegasi ku ndodhet në turneun amerikan të klubit të tij, Laporta ka thumbuar Realin një ditë para sfidës me “Los Blancos”. Ai i ka dërguar një mesazh provokues Madridit, me një baner në Las Vengas ku shkruhet: “Çfarë ndodh në Las Vegas mbetet në Las Vegas”. Në fakt kjo është një frazë e huazuar nga Laporta dhe tejet e përdorur për të promovuar turizmin në qytetin e kazinove që afro 20 vjet më parë.