Sali Berisha prezanton Enri Çenon si Sekretar të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të PD. Edhe pse në opinionin publik nuk ëhstë shumë i njohur, tirananews.al mëson se Çeno ka qenë kandidat i Lulzim Bashës në Durrës në 2017-n, ndërsa aktualisht është kryetar i Departamentit për të Drejtat e Njeriut në PD. Por më i njohur është babai i tij , ish gjyqtari i shkarkuar Petrit Çeno. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i renditi babait të tij një listë problemesh në kriterin e pasurisë, të cilat sipas KPK çuan në shkarkimin e gjyqtarit të Apelit Durrës.

Tirananews.al mëson se Çeno sipas Komisionit veç mungesës së të ardhurave të ligjshme për të justifikuar pasurinë, kishte fshehur në “Deklaratën Vetting” dhe ato vjetore, pjesëmarrjen e të birit si aksioner në 5 kompani.

KPK shprehet se mbrojtja e Çenos nuk arriti të provonte të kundërtën e barrës së provës në lidhje me këto gjetje.

“Subjekti i rivlerësimit ka fshehur në deklaratën “Vetting” të vitit 2017 aksionet e personit të lidhur, z. E. Ç., në shoqëritë: “P. L.” sh.p.k; “S.” sh.p.k; “Ç. & P. C.” sh.p.k; “P. E.” sh.p.k; “B. M. I.” sh.p.k.”, thuhet në vendimin e Komisionit.

Sipas KPK-së gjyqtari iu gjetën po ashtu probleme në blerjen e një apartamenti 98 m2 dhe një garazhi 22 m2, shitjen e një apartamenti në Durrës dhe blerjen e një apartamenti në Golem. Komisioni e akuzon subjektin për një sërë fshehjesh të pasurisë, përfshi vlerën e një apartamenti 144 m2 të blerë nga bashkëshortja, ndërsa shprehet se Çeno kishte mashtruar bankën për një kredi të cilës i ishte ndryshuar destinacioni.

Petrit Çeno ka një karrierë 28 vjeçare në sistemin e drejtësisë dhe prej më shumë se 15 vitesh e ka ushtruar funksionin e tij në Gjykatën e Apelit të Durrësit. Prej vitit 2015, ai ishte nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda së bashku me gjyqtarit Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri, të cilët u akuzuan se përfituan një udhëtim falas për të parë një ndeshjen e futbollit mes Barcelonës dhe Real Madrid, e njohur si derbi “El Classico”.

Mosdeklarimi i aksioneve të djalit

Megjithëse e radhitur në fund të vendimit, sipas KPK-së mosdeklarimi dhe fshehja e aksioneve të të birit në 5 kompani, janë argumenti kryesor për shkarkimin e gjyqtarit Petrit Çeno.

Çeno sipas KPK-së nuk kishte deklaruar pjesëmarrjen e të birit si aksioner dhe në disa raste punësimin e tij si administrator në pesë kompani. Po ashtu KPK shprehet se edhe në një rast kur pjesëmarrja ishte deklaruar, përqindja e pjesëmarrjes dhe viti kur aksionet ishin blerë janë deklaruar gabim.

Problemet e Çenos në lidhje me pasurinë e të birit si person i lidhur, fillojnë sipas KPK-së që me faktin se pjesëmarrja e tij si aksioner në disa kompani nuk ishte deklaruar më herët as për Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) në vite.

KPK tha se gjeti po ashtu se gjyqtari i shkarkuar ishte angazhuar në mashtrim të një banke nga e cila kishte marrë 80 mijë euro kredi, të cilat i ishin transferuar kompanisë së të birit e identifikuar në vendim me inicialet H.I.shpk.

“Në lidhje me kredinë në vlerën prej 80,000 eurosh, marrë nga banka “Societe Generale Albania”, subjekti i rivlerësimit së bashku me bashkëshorten dhe djalin E. Ç.: Kanë kryer deklarim të rremë ndaj bankës “Societe Generale Albania”, në lidhje me destinacionin e përdorimit të kredisë”, shkruhet në vendimin e zbardhur.

Komisioni shprehet se sa i përket kësaj kredie, mungonte edhe dokumentacioni për likuidimin e kësteve nga kompania minerare në të cilën djali i gjyqtarit ishte aksioner, ishte fshehur kontrata për apartamentin që supozohej të blihej dhe prishja e kësaj kontrate.

Komisioni deklaron se gjyqtari Çeno vijoi të deklaronte në vitin 2013 pagesa për shlyerjen e kësaj kredie, ndërsa ajo kishte kaluar në vitin 2012 në favor të kompanisë.

Po në lidhje me këtë kompani, KPK thotë se kishte gjetur “deklarim të rremë në deklaratat ndër vite pranë ILDKPKI-së”. Sipas Komisionit ishte deklaruar blerje aksionesh në vitin 2011, por ato ishin blerë në vitin 2010.

Po ashtu ndryshimet në aksionet në këtë kompani, të dhënat për të cilat KPK thotë se i mori nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), nuk ishin deklaruar. Ndërkohë sipas Komisionit në në deklaratën “Vetting” të vitit 2017, Çeno kishte fshehur aksionet e të birit në pesë kompani – një pjesë e të cilave në aktivitet dhe të tjera të peulluara.

Komisioni tha se gjeti që këto aksione ishin “fshehur edhe në deklarimet vjetore”/ tirananews.al