Nga Jakin Marena
Ilir Meta sipas të gjitha gjasave ka qënë bashkëpunëtor i Sigurimit famëkeq të Shtetit dhe ka spiunuar shokët e shkollës, përkundrejt favoreve që të jepte ky “kontribut” në atë kohë.
Deri më tani ka qënë shoku i kursit të tij, Filip Talo, ai që ka kërkuar përmes një e-maili, nga Autoriteti i Dosjeve emrin e spiunit të Sigurimit që informoi organin më të zi të diktaturës se kishte vendosur të arratisej, e për pasojë e “kyçi” në darën e këtyre famëkeqëve. Pikërisht atëherë kur regjimi komunist po jepte shpirt, në fund të viteve ’80.
Më konkretisht verifikimet për figurën e Ilir Metës nisën në 25 korrik të këtij viti, kur në adresën personale të titullares së këtij institucioni, Gentiana Sula erdhi një e-mail nga një person i paidentifikuar.
Personi i panjohur pretendonte se në dosjet të caktuara të Sigurimit figuronte emri i kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta. Duke i dhënë indicie të qarta se ku të kërkonin, personi pretendonte për zhdukje të disa materialeve. Nga kërkimi rezultoi se Meta figuron në dosje të personave të tjerë se vullnetarisht kishte spiunuar një shok që donte të arratisej.
Ishte një kërkesë, që mund të quhet nga ana atyre që nuk e kanë vuajtur në kurriz presionin e Sigurimit të Shtetit për t’u kthyer në spiun apo burgun e diktaturës, pa shumë pretendime, por që nga kjo “ferrë e vogël” doli “lepuri i madh”.
Në kërkesën e Autoritetit të Dosjeve, e dalë përmes një vendimi kolegjial, veprim i arsyeshëm në këtë rast i kreut të këtij Autoriteti Gentiana Sula, drejtuar kryetares së parlamentit shqiptar Lindita Nikolla përmendej me emër dhe mbiemër Ilir Meta(j), pavarësisht inicialeve I.M që cilësoheshin në dosjen prej 140 faqesh të kopsitur ndaj “viktimës” Filip Talo, i cili jo vetëm që nuk arriti të arratisej por falë vigjilencës së I.M u kërcënua me mbyllje në qelitë e diktaturës ose të bëhej dhe ai një bashkëpuntor i këtij organi famëkeq të diktaturës.
Sula në kërkesën e saj drejtuar Kuvendit kërkonte as më pak dhe as më shumë por ndryshimin e ligjit për hapjen e dosjeve në një pikë të vetme: Rivlerësimin e figurës dhe për ata politikanë dhe zyrtarë që e kishin kaluar njëherë “pastërtinë” në komisionet e verifikimit “Mezini” e “Bezhani”. Mes të cilëve dhe Ilir Meta, ndonëse emri i tij ishte në dosjet e Sigurimit.
Madje dhe e shpjegonte me detaje arsyen se përse e kishte kërkuar këtë ndryshim në ligj, duke përmendur I.M dhe kërkon të ndryshonte pikërisht atë klauzolën që kishte futur LSI me urdhër të Metës në ligj më 2014, që përjashtonte rivlerësimin e figurës për ata që kishin kaluar nga komisionet “Mezini” e “Bezhani”. Pasi është njëlloj si të mos kalojnë në vetting gjyqtarët e prokurorët, të cilët kanë marrë certifikatën e pastërtisë nga Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Dhe kishte të drejtë, pasi të dy komisionet, ku me urdhër partie, ku me para ishin përdorur jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, është “legjendare” lista e gjithë udhëheqjes së atëhershme të PS në opozitë që mbetën në “rrjetën” e komisionit “Mezini”, e dhënë me shumë gjasa nga Ilir Meta për të “pastruar zonën” politike e hapur rrugën për kapjen e kreut të PS, pasi dhe kryetarin Fatos Nano e kishin në burg.
Nëse sheh të gjithë trajektoren e lëvizjes politike të Metës, vihet re se gjithçka fillon me dërgimin e tij në takimin e studentëve dhe pedagogëve me Ramiz Alinë për shpalljen e pluralizmit politik, ku Meta ndonëse nuk tha asnjë fjalë, “shënoi” emrin në këtë moment të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Ndonëse sipas të gjitha gjasave ishte dërguar nga Sigurimi atje, ashtu sikurse disa muaj më vonë, Sali Berisha me “makinë e bardhë” të numrit dy të ministrisë së Brendshme të asaj kohe, pra Sigurimit të Shtetit, ishte dërguar në protestën për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, për t’u larguar sërish me shpejtësi.
Jo pa qëllim, me sa duket Meta u katapultua në forumin rinor të socialistëve, FRESSH, për të qënë “syri dhe veshi” i Sigurimit dhe në këtë parti, bazuar dhe në faktin se në krye të PD i kishin “sistemuar” gjërat me Sali Berishën dhe “rezidentë” të tjerë të shërbimit sekret.
Sipas të gjitha gjasave kalimin nga Sigurimi i vjetër i Shtetit tek shërbimi i ri inteligjent SHIK-u, i drejtuar nga Bashkim Gazidede, pas të cilit qëndronte Sali Berisha, u “kalkulua” pas ngjarjes së Poliçanit, teksa deputeti i ri i asaj kohe Ilir Meta u përfshi deri në përplasje fizike në atë protestë të organizuar nga punonjësit e Uzinës kundër pushtetit të ri, tashmë të PD.
Dalja me urgjencë e Metës nga qelia, pas takimit me Bashkim Gazideden, dhe sjellja e tij politike pas këtyre ngjarjeve, lë vend për të dyshuar dhe besuar se Ilir Meta ishte kthyer që në atë kohë në një “zar” të presidentit të atëhershëm Sali Berisha, që nxehej apo bashkëpunonte me të, vetëm me leje.
Më se njëherë Sali Berisha ka deklaruar se Fatos Nanos dosjen për dënimin e tij të dytë me 10 vite burg ia kopsitën nga PS. E tha dhe para dy javësh një gjë të tillë, teksa po shpjegonte në një emision televiziv se përse nuk e futi Fatos Nanon në burg në vitin 2005 kur erdhi në pushtet për herë të dytë, ndërsa kreu socialist kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake.
Me sa duket Berisha tregoi si padashje se njeriu më i interesuar për qëndrimin gjatë të Nanos në burg ishte Ilir Meta, asokohe kryetar i FRESSH, nënkryetar i PS, sekretar për marrëdhëniet ndërkombëtare në PS. Ndërkohë që tre nënkryetarët e tjerë paraqiteshin dhe nga Berisha por dhe nga Meta para ndërkombëtarëve si marksistë dhe vijues të linjës së komunistëve.
Nëse dikush nuk beson se nuk kishte një akord mes Berishës dhe Metës, mjafton të rikthejë në kujtesë ngjarjet e vitit 1996 kur u vodhën votat nga Presidenti i saj kohe, dhe datën 28 maj kur kandidatët e PS dhe të opozitës dolën në protestë. Të gjithë u rrahën, nga Servet Pëllumbi, Erion Braçe, Ndre Legisi e deri tek Skënder Gjinushi e Gaqo Apostoli, apo Arben Imami. Fotot e tyre të përgjakura bënë xhiron e botës.
Po Ilir Meta mund të na thotë ndokush se ku ishte me 28 maj kur u rrah opozita? Mund të na sjellë ndokush ndonjë deklaratë të tij në këto kohë kundër vjedhjes së votës nga Sali Berisha? Nuk ka asnjë, sado të kërkosh dhe të hulumtosh. Kishte heshtur me urdhër, ndonëse ishte nënkryetar i PS, sekretar për marrëdhëniet ndërkombëtare në PS dhe kryetar i të rinjve socialistë. Askund nuk e ngriti zërin, anipse kishte dhe kryetarin Fatos Nano në burg. Këtë ia përmendi dhe Fatos Nano në atë KPD-në e famshme në fund të vitit 2001, pas katharsisit që rrëzoi Metën nga posti i kryeministri dy muaj më vonë. Pjesa tjetër më pas është vetëm histori.
Pavarësisht adhnimeve apo përqafimeve me Berishën, në kundërshti me të apo në koalicion, ka prevaluar gjithnjë përdorimi i Ilir Metës për nevojat personale dhe politike të liderit historik të demokratëve. Kanë mbrojtur njëri tjetrin, njëri nga malli e tjetri nga halli, aq sa Meta e cilëson Berishën “pika e dobët” e tij, dhe si një “verë që forcohet demokratikisht me kalimin e viteve”.
Megjithëse kanë hedhur akuzat nga më monstruozet ndaj njëri tjetrit, në të vërtetë e kanë mbrojtur njëri tjetrin, pasi një akuzë që të degjenerohet dhe të mos merret për bazë nga drejtësia, mjafton të futet ne gojën e politikës dhe të artikulohet politikisht, dhe ajo është e rënë. Megjithëse sherri dhe debati mes tyre nuk ka qënë kurrë i sinqertë, por ka qënë fryt i qefmbetjeve për ndarjen e “plaçkës” së pushtetit apo “tradhëtive” momentale, dhe një përplasjeje me leje apo si e dy dashnorëve që thellë thellë e duan fort njëri tjetrin por dhe e përdorin.
Janë 32 vite që kemi pasur në krye këtë binom të çuditshëm politik, që nuk i lidhte as mosha as prejardhja dhe as shkollimi, por vetëm ndjenja e ndërvartësisë që buronte nga emri në dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Shqiptarët kanë paguar shumë, pasi në fillim kanë pasur opozitën nën vartësinë e Presidentit të asaj Kohe, pastaj kanë pasur qeverisjen apo mazhorancën në dorën e kreut të opozitës, i njëjti person Sali Berisha, e kështu me rotacion sipas ardhjes në pushtet. Tundej dosja e Sigurimit në të gjitha rastet, dhe Berisha si në opozitë si në pushtet, ishte njeriu më i fuqishëm i politikës në Shqipëri, ku nuk e kapi asnjëherë “lapsi” për të hyrë në burg. Dhe atëherë që e futi katër orë në paraburgim Ilir Meta, Berisha ia kishte dhënë vetë lejen, thjeshtë dhe vetëm që të kishte një përdorim sa më afatgjatë të njeriut të tij me dosje, tashmë të mësuar me shantazhimin dhe që e dinte përmendësh se çfarë lejohej ose jo.
Tani kemi mbërritur në pikën e mbramë, kur Sali Berisha dhe Ilir Meta, drejtojnë opozitën shqiptare. Njëri i shpallur “non grata” nga SHBA ndërsa tjetri me shumë gjasa do të jetë zyrtarisht një ish bashkëpuntor i Sigurimit të Shtetit.
Ky do të jetë “gjaku i ri” i opozitës shqiptare, që pretendon se ka rithemeluar opozitën. Berisha dëboi Bashën dhe mori drejtimin e PD, ndërsa Ilir Meta, vetëm një ditë pas dorëzimit të zyrës në Presidencë, ku për 5 vite ka qënë kreu i shtetit, shkriu LSI-në dhe rithemeloi partinë, shpalli krijimin e “Partisë së Lirisë”.
Madje dhe përmes betimit se është gati të vdesë për liri, do të luftojë korrupsionin në këtë vend, megjithëse as vetë nuk e di sa pasuri ka dhe në cilat vende i ka depozituar, ndonëse zyrtarisht është një rrogtar shteti familjarisht, me shpenzime të mëdha shkollimi për fëmijët, dhe kur njëra rrogë nuk i del as për të paguar pastrueset dhe ushqimin e maces Sasha në vilën miliona euroshe që ka me “kursimet” e tij në Girin e Lalzit. Afër “pikës së dobët” të tij Sali Berisha kuptohet.
Gjithkush e mer me mend fatin e opozitës që drejtohet nga Berisha Berisha-Meta, një ‘non grata’ e një spiun Sigurimi, ‘gjaku i ri’ i opozitës e Meta. Ajo është e destinuar të jetë jashtë pushtetit për shumë e shumë vite, një shans dhe për Edi Ramën, që pa asnjë lodhje të marrë një mandat të katërt, të pestë e deri kur të mërzitet vetë që të largohet nga posti i kreut të qeverisë.
Të thuash se po rithemelon partinë dhe opozitën, dhe në krye të këtyre subjekteve politike të jenë ata që për 32 vite kanë qënë në drejtimin e këtyre partive, por dhe të shtetit, është shakaja më e rëndë që mund të bëhet me shqiptarët. Të cilët e kanë të pamundur të besojnë se një “non grata” dhe një ish spiun Sigurimi mund të sjellin një frymë të re politike në Shqipëri. Apo mund të ndryshojnë këtë vend.
Dikush dhe mund të thotë se mund të bëjmë dhe pa mbështetjen e SHBA e BE, e të qeverisemi nga një “non grata”, por me situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, kjo është e pamundur. Dikush tjetër mund të thotë, se dhe akuzat ndaj Metës për ish bashkëpuntor i Sigurimit janë të pavërteta. Ok. Kjo mund të vertetohet, të dërgojë një kërkesë individuale te Autoriteti i Dosjeve dhe të vetëverifikohet.
Të lërë deklaratat e shtypit apo aktivizimin e njerëzve të paguar në media për të nxjerrë “bishta” ndaj institucionit në fjalë. Këtu jemi, ne presim, madje mirëpresim dhe pafajësinë e tij, pasi na ngushëllon fakti se s’jemi qeverisur nga një spiun Sigurimi, pavarësisht se jemi vjedhur deri në palcë në këto 32 vite.