Sali Berisha nëpërmjet portalit të djalit të vet, ka sulmuar gjyqtaren Blerina Muçaj, për t’iu bërë presion që t’ia japin edhe me vulë të gjykatës Partinë Demokratike.

“Në përfundim të protestës masive të 7 korrikut, gjithkush ndante vetëm një mendim: ajo zhgënjeu edhe ata pak skeptikë të opozitës në opinionin publik. Brenda pak ditësh, PD bëri një organizim spektakolar, duke bërë që në shesh të zbresin dhjetëra-mijëra shqiptarë. Nuk është rastësi që edhe disa zëra të vetmuar nisën të deklarojnë se tani dihet kush është opozita e vërtetë dhe se kush e drejton Partinë Demokratike.

Madje pati thirrje se treshja Basha-Alibeaj-Bardhi duhet të tërhiqen nga padia e turpshme në Gjykatën e Apelit. Dje çdo shqiptar e pa se kush e ka PD-në. Sikur të mos mjaftonin ushtrimet e shumta të votës, populli opozitar zbriti në shesh. Por a e pa këtë protestë gjyqtarja kamikaze e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, Blerina Muçaj?

Kur vendosi në mënyrë të paligjshme të pranojë padinë e Gazment Bardhit dhe të njohë si palë treshen e vetmuar Basha-Alibeaj-Bardhi, mund të ketë pasur ndonjë dyshues.
Por sheshi foli dje. Dhe gruaja e ministrit famëkeq të Fatos Nanos, Muçit që i përmendej emri në çdo aferë, duhet ta kuptojë se dje nuk kishte palë.

Tre personat Basha-Alibeaj-Bardhi nuk janë palë. Këtë e demonstruan duke braktisur tubimin madhështor të popullit opozitar. Para pak ditësh, kryetari demokrat Sali Berisha tha se gjykatëses Muça, Erion Veliaj i ka premtuar kalimin e vetingut nëse merr vendim kundër popullit demokrat. Dje sheshi provoi se nuk ka më as shumicë e pakicë në këtë histori, por vetëm tre njerëz që duan të marrin vulën e PD. Ata nuk janë as palë e as pakicë”, thuhet në një shkrim pa autor, si për të treguar se protesta e së enjtes, ishte pikërisht për të fituar PD-në, jo për hallet e popullit, siç përpiqen ta shesin.