Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell shprehu shpresën sot se përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Turqia për zhbllokimin e eksporteve të drithërave ukrainase këtë javë do të sjellin një marrëveshje.
Borrell foli para gazetarëve gjatë rrugës për në një takim të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së.
“Shpresoj se këtë javë do të mund të arrihet një marrëveshje për zhbllokimin e anijeve në Odesa dhe anijeve të tjera ukrainase për të transportuar grurë”, tha ai për negociatat e udhëhequra nga Turqia.
Ai vuri në dukje se “kjo nuk është një lojë diplomatike” pasi jetët e “dhjetëra mijëra njerëzve varen nga kjo marrëveshje”.
Borrell gjithashtu përjashtoi mundësinë e ndërprerjes së “mbështetjes për Ukrainën dhe vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë” edhe nëse Moska kërcënon bllokun me reduktimin e furnizimit me gaz.
Ai shpjegoi se ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë ndalimin e importit të arit rus dhe ndryshime të tjera të sanksioneve ekzistuese për një “zbatim më efikas”.
Ministrat do të flasin gjithashtu për planet e rritjes së ndihmës ushtarake për Ukrainën, kurse kryediplomati ukrainas Dmytro Kuleba gjithashtu do t’i bashkohet seancës së mëngjesit, shtoi Borrell.
Pasdite, ministrat e BE-së do të diskutojnë edhe për marrëdhëniet e bllokut me Amerikën Latine, zhvillimet e fundit në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE dhe diplomacinë digjitale.
BE-ja ka vendosur gjashtë grupe sanksionesh kundër Rusisë që nga fillimi i luftës së vendit kundër Ukrainës më 24 shkurt.
Pakot e sanksioneve synojnë, ndër të tjera, presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov, ndalojnë importet e naftës dhe qymyrit dhe eksportin e mallrave luksoze, si dhe kanë përjashtuar bankat ruse dhe bjelloruse nga përdorimi i sistemit SWIFT.