Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, deklaroi sot se reforma territoriale duhet të jetë konsensuale dhe e bazuar mbi konsultime parimore dhe jo mbi pazare.

Në një konferencë për mediet, nënkryetari i PD-së Oerd Bylykbashi, Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore Ivi Kaso dhe Sekretari për Pushtetin Vendor Ylli Asllani deklaruan se PD do të marrë pjesë në reformën territoriale.

Bylykbashi deklaroi se Partia Demokratike ka ngritur grupin e punës dhe po bëhet një studim në çdo degë të Partisë Demokratike, në lidhje me shqetësimet që kanë qytetarët në ato zonat.

“Dua ta them që në fillim se reforma territoriale ka dështuar që në vitin 2018. Ajo që ne dimë sot është që është larguar pushteti zgjedhur nga qytetarët, pushteti tashmë është centralizuar. Partia Demokratike e ka denoncuar këtë aferë. Partia Demokratike ka mendim të qartë për të marrë pjesë dhe për të bërë më të mirën. Gjithashtu në kuadër të sekretariatit për pushtetin vendor është ngritur sekretariati në çdo rreth ku do të mbledh kontributin e të gjitha viteve që Partia Demokratike ka pasur në reformën territoriale. Reforma territoriale është një instrument që nuk duhet humbur, sepse diçka e bërë keq për interesa të vogla politike sjell pasoja të rënda më pas”, u shpreh ai.

Po ashtu, Bylykbashi shtoi se kemi shpërndarë një pyetësor për të mbledhur mendime në çdo anë përsa i përket kësaj.

“Kemi kapacitetet për të çuar një Reformë Zgjedhore, pas rreth 9 muajsh do të jenë edhe zgjedhjet vendore. Theksoj se ky do të jetë një vendim politik, që do të ketë mbështetjen politike. Nuk do të jetë një reformë false si ajo e vitit 2014, por një reformë territoriale e pushtetit vendor afatgjatë”, tha ai.