Republika çeke merr sot presidencën e radhës së BE-së, dhe listën e prioriteteve të radhës së saj për të udhëhequr Këshillin e Bashkimit Europian e ka të gjatë, por zgjerimi i bllokut nuk është lart në axhendë.
Në krye të listës, Praga do të ketë Ukrainën. Pas Polonisë, Çekia është vendi i BE-së që mbështet më fort Kievin, ku ka dërguar armë përfshirë dhe tanke, e ka strehuar edhe 350 mijë refugjatë ukrainas. Me këtë në mendje, Parisi zyrtar nxitoi të përmbushte kërkesën e Shkupit për të modifikuar propozimin e tij në ditën e fundit të presidencës franceze, ashtu siç kishte kërkuar pala maqedonase, duke pranuar disa nga vërejtjet e saj.
Arritja e një marrëveshjeje tani mbi këtë dokument, do t`i hapte rrugën zhbllokimit të procesit të integrimit europian. Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovacevski, pasi u pyet për detajet e propozimit të ri francez, tha ato do të bëhen të ditura në ditët në vijim, por shtoi se aspektet historike – një nga çështjet më të ndjeshme në kontestin me Sofjen – nuk do të jenë pjesë e kornizës negociuese për anëtarësim në BE.
Kovacevski: Tashmë na mbërriti edhe zyrtarisht propozimi francez pas ndërhyrjes sonë javën e kaluar në Bruksel. Propozimi do të publikohet pasi të kalojë të gjitha filtrat në institucione. Do të pasoje një proces i gjerë në të cilin do të përfshihen edhe presidenti dhe opozita.
Kovaçevski bëri thirrje që opinion të përmbahet nga spekulimet pasi siç tha ai, vendimi do të miratohet me konstruktivitet dhe do të mbrojë interesat kombëtare. Sot janë parashikuar një sërë takimesh dhe konsultash lidhur me propozimin, që pas kësaj do të publikohet i plotë në faqen e ëeb-it te qeverisë.
Bullgaria anëtare e BE-së kishte refuzuar të miratojë kuadrin e negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi historinë dhe gjuhën. Por ligjvënësit bullgarë votuan për të lejuar qeverinë të heqë veton e saj pas ndryshimeve në tekstin e kuadrit që do të garantonte të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut përmes ndryshimeve kushtetuese dhe do të angazhonte Shkupin të mbajë marrëdhënie të mira me Bullgarinë.