Britania e Madhe- Industria e transportit është e prekur drejpërdrejt nga rritja e çmimeve të karburanteve.

Pë pasojë edhe çmimi i biletave të linjës ajrore do të rritet “pa dyshim” me rritjen e kostove të karburantit, ka paralajmëruar një shef i industrisë ajrore. BBC shkruan se çmimet e naftës janë rritur ndërsa ekonomitë rimëkëmben nga pandemia Covid dhe për shkak të luftës në Ukrainë. Këto kosto do t’u kalohen konsumatorëve, tha Willie Walsh, drejtor i përgjithshëm i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA).

Ish-shefi i British Airways tha gjithashtu se Aeroporti Heathrow duhej të ishte përgatitur më mirë për të shmangur ndërprerjet e fundit. Por Heathrow tha se komentet e Walsh ishin të keqinformuara.

“Fluturimi do të jetë më i shtrenjtë për konsumatorët, pa dyshim”, tha ai, duke shtuar se çmimi i lartë i naftës do të reflektohet në çmimet më të larta të biletave.

Çmimet e naftës po rriteshin pasi kërkesa u rrit përsëri në ekonomitë që kishin filluar të rimëkëmbeshin nga pandemia Covid. Pasojat nga lufta në Ukrainë i kanë rritur më tej çmimet. SHBA ka njoftuar një ndalim të plotë të importeve të naftës nga Rusia, me Mbretërinë e Bashkuar që do të heqë gradualisht furnizimet ruse deri në fund të vitit.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë thënë se do të bllokojnë shumicën e importeve të naftës ruse deri në fund të vitit 2022. Kjo do të thotë se kërkesa për naftë nga prodhues të tjerë është rritur, duke çuar në çmime më të larta. Walsh tha se çmimet e karburantit ishin në nivele rekord dhe se nafta është elementi i vetëm më i madh i bazës së kostos së një linje ajrore.

“Është e pashmangshme që në fund të fundit çmimet e larta të naftës do të kalojnë te konsumatorët me çmime më të larta të biletave,” tha ai.