Manchester United luan takimin e parë të sezonit të ri në Premier League pas 14 ditësh, por asnjë në kampin e “Djajve të Kuq” nuk e di nëse Cristiano Ronaldo do të jetë i pranishëm në duelin shtëpiak ndaj Brighton.
Ylli portugez vazhdon të mungojë në stërvitje për “shkaqe familjare”, teksa agjenti i tij, Jorge Mendes, vijon bisedimet me drejtuesit e Atletico Madrid, që për momentin është një nga mundësitë e vetme ku mund të transferohet CR7.
Ndryshe nga PSG, Bayern Munich, Chelsea apo Barcelona, klube që refuzuan afrimin e 37-vjeçarit, tek Atletico dëshira nuk mungon, ndërsa paratë po. Gjithsesi, ka një zgjidhje për të rikthyer Ronaldon në kryeqytetin spanjoll.
Gjithçka lidhet me Antoine Griezmann, i cili do të kalojë edhe një vit i huazuar nga Barcelona tek Atletico. Sulmuesi francez fiton 18 milionë euro neto në sezon, duke qenë më i paguari te “Colchoneros”.
Ndërkohë, CR7 ka një pagë sezonale prej 25 milionë eurosh, të cilën është gati ta reduktojë në masën 30%. Times shkruan se drejtuesit e Atleticos i kanë ofruar PSG-së shërbimet e Griezmann, për të finalizuar më pas akordin me portugezin.
Kampionët e Francës kanë refuzuar marrjen e kampionit të botës. Shpresa e fundit është kalimi i Griezmann në Premier League, aty ku ka disa klube që e pëlqejnë. Nëse ndodh, atëherë do të thjeshtohej kalimi i Ronaldos nën urdhrat e Diego Simeones.