Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Mesila Doda ka folur para mediave pas takimit me Lindita NIkollën, e cila i vuri në dispozicion dosjen e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit ku thuhet se një politikan i lartë me inicialet I.M ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.
Doda tha se duhet të bëhet ligj që largon të kaluarën e errët ndërsa Nikollës i ka kërkuar që të bëjë pastërtinë e figurës për deputetët.
“Pas 32 vitesh kemi mes nesh njerëz që kanë të kaluar të errët, kjo do të thotë se është dështim i politikës shqiptare që nuk kemi ndërruar brezat dhe të sjellim njerëz të pashantazhueshëm. Besoj se është koha që në sesionin e ri parlamentar të nisë një punë e re serioze jo vetëm me propozimet e Autoritetit por me heqjn e të gjithë personave me të kaluar të errët. Duhen bërë publik emrat, nuk vijojmë dot që të marrim me mend se kush janë. Duhet të dalin me emra. I kërkova kryetares së Kuvendit që të kërkojë pastërtinë e figurës për 140 deputetët”, tha Doda.