30,786 qytetarë janë kualifikuar për herë të parë me lejedrejtimin e kategorisë B për 6-mujorin e parë të 2022.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, (DPSHTRR) njoftoi se krahasuar me vitin 2018, është rritur me 34% numri i të kualifikuarve për herë të parë me lejedrejtimi të kategorisë B.
Sipas DPSHTRR-së, 44% nga drejtuesit e rinj të kualifikuar janë femra. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, kjo shifër është rritur 62% më shumë.
Në kuadër të masave për forcimin e sigurisë rrugore, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka ndryshuar një sërë rregullash për lejet e drejtimit për drejtuesit e mjeteve.
Kështu rregullat e reja përcaktojnë që drejtuesit e mjeteve rrugore që humbin të gjitha pikët e lejes së drejtimit, ose që u hiqet leja e drejtimit për shkelje të rënda e të përsëritura do t’i nënshtrohen kursit nga e para në autoshkollë, e pastaj do të paraqiten për testim teorie dhe praktike pranë DPSHTRR-së.
Ndërsa janë ndërmarrë një sërë lehtësish në kursimin e kohës dhe të kostove në marrjen e lejes së drejtimit të mjetit dhe njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve me vendet e BE-së.