Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Eleni Fouriera ka anuluar performancën e saj në Qipro.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë këngëtarja, e cila ka rispostuar një deklaratë të vendit ku ajo do të mbante performancën. Sipas deklaratës së publikuar performanca e Fouriera-s është anuluar për arsye shëndetësore.
“Fatkeqësisht, për arsye shëndetësore, paraqitja e Eleni Foureira të premten më 22 korrik nuk do të mund të bëhet. Ekipi i uron asaj shërim të shpejtë. Kinky Party do të vazhdojë normalisht dhe ne do të jemi në kontakt sërish për rezervime”– thuhet në deklaratë.
Eleni Foureira ose ndryshe, Entela Fureraj, shkaktoi polemika të shumta pak kohë më parë me deklaratat e saj. Në një intervistë, artistja u shpreh se: “Ndihem krenare që jam shqiptare por Greqia është vendi që dua”.
Ajo rrëfeu gjithashtu se është larguar nga Shqipëria mjaft e vogël, në momentin kur po zhvillohej lufta civile.
“Erdha në Greqi për shkak të luftës civile në Shqipëri. Isha rreth 8-9 vjeç. Nga fëmijëra mbaj mend vetëm kujtimet e bukura, ndërsa jam munduar të fshij momentet e këqija, si lufta civile. Babai im në atë kohë punonte në Greqi për të fituar para. Ai na dërgoi në taksi për të na sjellë në Greqi dhe atë ditë nuk e kam harruar kurrë. Në Shqipëri nëna ime ishte vetëm me 4 fëmijë të mitur. Nëa ime mbante një armë gjahu në shtëpi dhe mbasditeve qëllonte në ajër për të treguar se kishte armë që ne të mos rrezikoheshim. Ishte një heroinë. Kur mami më tha që do largoheshim nuk doja, ishte e vështirë për mua. Ditën kur dola nga shtëpia fillova të qaja,”– tregoi Eleni Foureira.