Europa po përjeton ditët më të nxehta për shkak të temperaturave të larta. Deri më tani janë regjistruar 1900 viktima si pasojë e valëve të të nxehtit në Spanjë dhe Portugali. Vdekja e një 60 vjeçari në Spanjë, teksa pastronte rrugët e qytetit ka shkaktuar debate të shumta mbi nevojën për të marrë masa të mënjehershme ndaj ndryshimeve klimatike.
“Është e qartë se pabarazitë sociale luajnë një rol të rëndësishëm në mënyrën se si njerëzit vuajnë gjatë valëve të të nxehtit, tha Julio Díaz i Institutit Carlos III. “Të durosh një valë të nxehti në një shtëpi me kondicioner dhe pishinë nuk është njësoj si të jetosh me 5 persona në të njëjtën dhomë me një dritare si burimi i vetëm i ajrit të pastër”.
Zjarret gjithashtu po kërcënojnë Spanjën, Italinë dhe Greqinë
Edhe pse temperaturat kanë shënuar rënie në Francë dhe Britani, zjarrfikësit po përpiqen të shuajnë zjarret në Spanjë, Itali dhe Francë. Një zjarr i madh ka përshirë Megaran, pranë Athinës , ku qindra persona janë evakuuar në 24 orët e fundit.
“I lamë gjërat tona, shtëpitë… ,tha Konstantina Yfanti. Gjithçka filloi me një shkëndijë në magazinë. Temperaturat ishin shumë të larta, xhamat u thyen dhe gjysma e shtëpisë sonë u shkatërrua”.
Nga ana tjetër, Spanja po lufton me zjarret në disa fronte. Zjarri në Avila, në veriperëndim të Madridit ka djegur tashmë më shumë se 4 mijë hektarë dhe për shkak të erës situata është bërë edhe më e vështirë.
Bashkimi Europian ka investuar burime të ndryshme për të ndihmuar vendet në luftën me zjarret dhe Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile është gjithashtu aktiv. Sllovenia është një nga ato vende që ka përfituar nga solidariteti. Një avion italian dhe një helikopter nga Austria iu bashkuan zjarrfikësve në shuarjen e zjarrit në zonën e Krasit, raporton abcnews.al.
Britania
Zjarrfikësit britanikë kanë qëndruar në gatishmëri të lartë të mërkurën, edhe pse qielli me vranësira dhe reshjet sollën lehtësim pas dy ditësh temperaturash ekstreme. Britania shënoi të martën temperaturën më të lartë, 40.3 gradë.
13 njerëz vdiqën si pasojë e vapës. Të paktën 41 prona u shkatërruan në Londër dhe më shumë se një duzinë në zona të tjera.
Franca
Që nga 12 korriku, zjarrfikësit në Francën jugperëndimore janë duke luftuar për të kontrolluar zjarret masive. Zjarret në rajonin Gironde kanë djegur 206 kilometra katrorë pyll, sipas zyrtarëve.
Presidenti Emmanuel Macron vizitoi rajonin e Gironde të mërkurën pasi autoritetet lokale thanë se kushtet e përmirësuara të motit ndërsa vala e të nxehtit lëvizte drejt lindjes po ndihmonte zjarrëfikësit në betejën për të kontrolluar flakët.
Zjarret në Francë deri më tani këtë vit kanë shkatërruar 25 për qind më shumë hektarë tokë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Greqia
Autoritetet greke thanë të mërkurën se kishin vënë nën kontroll një zjarr në malet pranë Athinës, duke detyruar qindra njerëz të evakuoheshin dhe duke dëmtuar shtëpi dhe makina. Zjarri shpërtheu të martën afërsisht 27 km në veri të kryeqytetit dhe, i nxitur nga erërat e forta, u përhap shpejt në rrethet e afërta duke përfshirë Penteli, Anthousa dhe Dioni – me një popullsi totale prej rreth 90,000 banorësh, raporton abcnews.al.
Të paktën dy persona u shtruan në spital në kryeqytetin grek me probleme të frymëmarrjes dhe djegie të lehta, thanë zyrtarët. Me erërat e forta që parashikohen të vazhdojnë deri të enjten, rreth 485 zjarrfikës, 120 makina zjarrfikëse dhe pothuajse 20 avionë janë në gatishmëri për të minimizuar rrezikun e shpërthimeve, shtuan zyrtarët.
Greqia ka arritur të shmangë temperaturat ekstreme në disa zona të Europës Perëndimore, por zyrtarët e zjarrfikësve kanë thënë se temperaturat e larta dhe thatësira që kanë zgjatur prej javësh, kanë rritur rrezikun e zjarreve në pyje.
Vitin e kaluar, zjarret shkatërruan rreth 300,000 hektarë pyje dhe shkurre në pjesë të ndryshme të Greqisë, pasi vendi përjetoi valën e saj më të keqe të të nxehtit në 30 vite.
Italia
Disa zjarre kanë shpërthyer në Itali mes temperaturave në rritje këtë javë. Nëntë qytete lëshuan alarmin për valën e të nxehtit, nga pesë të martën. Totali pritet të rritet në 14 të enjten, duke përfshirë Romën, Milanon dhe Firencen, dhe 16 të premten.
Temperaturat parashikohen të arrijnë në 40 gradë Celsius në të gjithë Italinë veriore dhe qendrore këtë javë, si dhe në Pulia në jug dhe ishujt e Sardenjës dhe Siçilisë, raporton abcnews.al.
Të mërkurën, një zjarr që shpërtheu të hënën në mbrëmje pranë qytetit toskan të Lucca vazhdoi të digjet, duke shkatërruar tashmë rreth 1,400 hektarë pyje, thanë zyrtarët. Rreth 500 njerëz u detyruan të evakuoheshin pasi flakët përfshinë fshatrat.
Në rajonin verilindor Friuli Venezia Giulia, banorëve iu kërkua të qëndronin brenda për shkak të tymit të dendur si pasojë e një zjarri në zonën Carso pranë Kroacisë dhe Sllovenisë.
Spanja
Një seri zjarresh në rajonin veriperëndimor të Galicisë të Spanjës kanë djegur 85 shtëpi dhe kanë detyruar 1,400 persona të evakuohen. Më shumë se 30 zjarre në pyje përreth Spanjës kanë detyruar mijëra persona të evakuohen dhe kanë shkatërruar 54,000 hektarë gjatë javës së kaluar, raporton abcnews.al.
Kjo është vala e dytë e të nxehtit gjatë këtij viti në Spanjë. Vendi përjetoi një valë të nxehti në mes të qershorit që zgjati një javë, vala më e madhe e të nxehtit në pothuajse 40 vite.
Portugalia
Në Portugalinë fqinje, të paktën 1,000 njerëz kanë vdekur për shkak të nxehtësisë. Temperaturat në të gjithë Portugalinë e goditur nga thatësira kaluan 40 gradë Celsius javën e kaluar.
Nga data 7-13 korrik, vendi regjistroi 238 viktima të tjera dhe se numri i viktimave është rritur në 1,063 për periudhën deri më 18 korrik.
Temperaturat e larta, një thatësirë e vazhdueshme dhe menaxhimi i keq i pyjeve janë shkaku për disa zjarrë që kanë përfshirë Portugalinë.
Gjermania
Autoritetet në Gjermani kanë lëshuar një paralajmërim për rritjen e temperaturave në pjesën më të madhe të vendit, me temperaturat në Berlin dhe Brandenburg që shënuan 40 gradë Celsius të mërkurën.
Në zonat urbane si Berlini, temperaturat gjatë natës nuk zbresin nën 20 C.
Holanda
Të martën, Holanda regjistroi një nga ditët e saj më të nxehta ndonjëherë – 38.9 C në Mastriht, ndërsa temperaturat priten të shënojnë rritje. Në lindje të vendit, temperaturat priten të lëvizin nga 30 deri në 33 gradë Celsius.
Petteri Taalas, sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike, tha të martën se valët më të shpeshta dhe më ekstreme të të nxehtit ishin një pasojë e pashmangshme e ndryshimeve klimatike, raporton abcnews.al.
“Në të ardhmen, këto lloj valë të nxehti do të jenë normale. Do të shohim rritje të mëtejshme të temperaturave,” tha Taalas në një deklaratë.
“Shpresoj se kjo do të jetë një “kambanë alarmi për qeveritë.”