Flamur Noka, numri 2 i ‘Rithemelimit’ të Sali Berishës, ka një tjetër mesazh për gjyqtarët që prite të vendosin fatin e Partisë Demokratike në Gjykatën e Apelit të Tiranës, nëse do t’i takojë Berishës apo grupit të Alibeajt.

Noka me një gjuhë të ashpër paralajmëroi burg për të gjithë ata gjyqtarë që sipas tij nuk i marrin parasysh provat që ka Kuvendi i 11 dhjetorit që organizoi Berisha.

“Asnjë gjykatës nuk mund të luajë me mundin, djersën dhe gjakun e demokratëve. Do shkojë në burg çdo gjykatës që manipulon fakte dhe provat që kemi vënë në dispozicion për mbajtjen e dy kuvendeve të dhjetorit të vitit të kaluar. Kuvendi i “Foltores” ishte mbi bazën e parimeve demokratike, ndërsa ai i mbajturt nga Basha mbi bazën e mashtrimit”, tha Noka, në emisionin “Dekalog” në RTSH 24.

Noka i mëshoi edhe një herë faktit se të tre si Basha, Alibeaj dhe Bardhi punojnë në shërbim të kryeministrit Edi Rama dhe sipas tij kjo duket më shumë gjatë seancave parlamentare kur Alibeaj merr fjalën pikërisht që të mos flasin deputetët e tjerë të PD si Berisha, ai vetë dhe drejtuesit e tjerë të partisë.

“Unë e kam thënë edhe më parë që kam informacione që Edi Rama dhe Lulzim Basha janë takuar në një lokal në Dhërmi dhe kanë rënë dakord për disa çështje që dëmtojnë opozitën”, tha Noka.

Në Gjykatë e Apelit të Tiranës çështja më e nxehtë e kohëve të fundit është ajo e shqyrtimit të ‘fatit’ të Partisë Demokratike, nëse do të mbetet në dorë të Berishës apo jo. Gjykata e Apelit Tiranë ka njoftuar se pas rihedhjes së shortit do të jetë relatore Irida Kacerja në vend të Genti Shalës, që ishte përcaktuar në shortin e mëparshëm së bashku me gjyqtaret Edlira Petri dhe Elona Toro. Trupa e re gjykuese do të shqyrtojë ankimin e Partisë Demokratike për mos regjistrimin e Statutit të 18 dhjetorit bashkë me ndryshimet në Kuvendin e 17 korrikut.

Gjyqtari Agron Zhukri më datë 25 mars regjistroi ndryshimet e statutit të miratuara në Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha. Gjyqtarja Blerina Muça ka pranuar në 18 mars të 2022 kërkesën e bërë nga Gazmend Bardhi për njohjen e ndryshimeve në statutin e PD të miratuara në 17 korrik 2021, vendim i cili u ankimua më pas nga vetë Bardhi që kërkoi bashkëngjitjen e ndryshimeve të vendosura nga Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha më 18 dhjetor.

Gjithashtu në Gjykatë është edhe ankimi i Enkelejd Alibeajt kundër vendimit të Zhukrit për regjistrimin e statutit të Berishës. Për këtë arsye, Gjykata sqaroi më parë se çdo pasqyrim në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës do të pritet sqarimi i çështjes në apel, e cila do të ishte një vendim i formës së prerë që do vendosë për fatin e Partisë Demokratike.

Pasi u njoh me argumentet e plota të gjyqtarit Agron Zhukri, që më 25 mars i dorëzoi Partinë Demokratike Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit, në cilësinë e nënkryetarit të selisë blu, Enkelejd Alibeaj ankimoi vendimin për regjistrimin e statutit logos dhe vulës së re, të miratuara nga grupi i Berishës më 11 dhjetor. Në ankimin, Alibeaj kërkon prishjen e këtij vendimi, duke e rikthyer çështjen për gjykim nga një tjetër trupë gjykuese ose pushimin e saj.