Finlanda shfaqet si një prej vendeve që mbështesin më fort zgjidhjen e shpejtë të ngërçit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në fakt, ajo po insiston që kjo situatë të zgjidhet brenda disa muajve, e nga sa pohoi në Prishtinë ministrja finlandeze e Çështjeve Europiane, Tytti Tuppurainen, shpresat janë që drita jeshile të vijë në vjeshtë.
Ministria u kujdes të theksonte se vendi i saj e mbështet plotësisht procesin euroatlantik të Kosovës dhe shteteve të rajonit të Ballkanit perëndimor.
“Ne mbështesim liberalizimin e vizave. Tani është koha, pas përmbushjes së kritereve, duhet të vijë liberalizimi i vizave. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka përfituar liberalizimin, dhe është momenti të ecet përpara. Ne kemi mbështetur negociatat që flasin në favor të Kosovës në këtë drejtim. Kështu që unë mund të them se jam optimiste që ne do të vazhdojmë të avancojmë në këtë çështje dhe besoj se në muajt në vijim, ndoshta këtë vjeshtë do të shohim rezultate pozitive”, tha Tytti Tuppurainen.
Kosova është shteti i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës i nënshtrohen regjimit të vizave për udhëtim në zonën Shengen.
Edhe pse ajo i ka përmbushur kriteret e BE-së për këtë proces dhe Parlamenti Europian dhe Komisioni Evropian kanë rekomanduar një vendim pozitiv, hapi i shumëpritur për vizat nuk është hedhur ende.
Tuppurainen që ndodhet për një vizitë atje së bashku me ministrin irlandez të çështjeve europiane, Thomas Byrne, tha se mbështesin gjithashtu dialogun midis Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.
Ata e bënë të qartë se presin të arrihet përparim më i madh në këtë proces, teksa e përshkruan dialogun si platformën më të mirë për të zgjidhur dallimet mes Prishtinës dhe Beogradit dhe për të avancuar perspektivën europiane të Kosovës.