Ushtria polake do të ketë 15 000 ushtarë të rinj këtë vit, si pjesë e një plani për të zgjeruar kapacitetin e saj ushtarak dhe për të përmirësuar rezultatet e marra në simulimet ushtarake, përballë një pushtimi hipotetik rus.

Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak njoftoi këtë të hënë se 8000 nga këta 15 000 rekrutë të rinj janë tashmë “operative”, pasi kanë përfunduar trajnimin e tyre bazë 28-ditor dhe se nga sot 1 000 të rinj të tjerë fillojnë mësimin e tyre në 16 kazerma në të gjithë vendin.

Banorët e Finlandës dhe Suedisë janë vigjilentë ndaj sulmeve të mundshme nga Rusia për hyrjen në NATO të dy vendeve nordike. Dëshmi e mirë për këtë është se ditët e fundit shitja e benzinës, baterive, ujit, ushqimeve dhe ilaçeve është rritur shumë. Një reportazh i “El Mundo” tregon popullsia e të dyja vendeve po grumbullon mallra thelbësore përballë një sulmi të mundshëm rus, qoftë ushtarak apo kibernetik, që mund të rrezikojë sigurinë.

Megjithatë, rasti i secilit vend është i ndryshëm. Në Suedi, grumbullimi i materialeve të mbijetesës ka ndodhur në mënyrë spontane. Në Finlandë, sipas rekomandimit të Organizatës Kombëtare të Shpëtimit (SPEK) qytetarët kanë furnizime të mjaftueshme për të gjithë shtëpinë, përfshirë kafshët, për të paktën 72 orë.

Po kështu, agjencia finlandeze e transportit dhe komunikimit, Traficom ka paralajmëruar se ka shumë të ngjarë që Rusia të përpiqet t’i përgjigjet anëtarësimit në Aleancë me sulme kibernetike. Zëdhënësja e Traficom, Mari Aro, theksoi se këto ofensiva mund të zgjidhen për shembull, me metoda alternative pagese në rast se rusët hakojnë sistemet elektronike të pagesave. Dështimet eventuale me kartat mund të zgjidhen duke pasur para kesh.

Sa i përket Suedisë, kërcënimi më i madh mund të jetë në Gotland, një ishull 125 kilometra i gjatë që shtrihet 90 kilometra nga bregu. Studiuesja në Institutin Suedez të Politikës së Jashtme, Gunilla Herolf, saktëson se nëse Rusia do të donte të pushtonte vendet baltike, do të kishte nevojë për Gotland për shkak të vendndodhjes gjeografike. Kjo është arsyeja pse Suedia në të kaluarën e ka lejuar NATO-n të kryejë stërvitje në ishull, duke përfshirë edhe sistemet raketore.