Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ftoi sot investitorët holandezë të vendosen në tregun shqiptar, pasi sipas saj, është bërë një punë e madhe gjatë viteve të fundit, për të krijuar procedura të lehta, të aksesueshme dhe transparente.
Gjatë një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit holandez që operojnë aktualisht në Shqipëri, si dhe me investitorë të rinj potencial, të interesuar për të zgjeruar aktivitetin e tyre në vendin tonë, në prani edhe të kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Ibrahimaj renditi infrastrukturën, por edhe bujqësinë, turizmin, apo sektorin automotive, atë të prodhimit të makinerive, por edhe përpunimit të metaleve si sektorë me potencial.
Ministrja theksoi po ashtu, se Shqipëria punon ngushtë me fqinjët përmes nismës së “Ballkanit të Hapur”, dhe se dhe pasja e marredhënieve tregtare me Shqipërinë do të nënkuptojë mbërritjen te rreth 16 milionë qytetarë dhe jo te 2.8 milionë qytetarë, që janë në Shqipëri.
“Punojmë tashmë ngushtë me fqinjët tanë përmes nismës së “Ballkanit të Hapur”, me perspektivën për tu integruar më tej, në BE. Investimi në Shqipëri dhe pasja e marredhënieve tregtare me Shqipërinë do të nënkuptojë se ju do të mbërrini te rreth 16 milionë qytetarë, dhe jo te 2.8 milionë qytetarë, që janë në Shqipëri. Duke punuar për të krijuar tregun e përbashkët rajonal ne po e shtojmë dhe zgjerojmë potenciain e tregtisë për rajonin tonë”, u shpreh Ibrahimaj.
Duke ftuar investitorët holandez, Ibrahimaj tha se Shqipëria prej vitesh ofron stabilitete ekonomik dhe politik.
“Çdo kompani kur merr vendimet e veta për të investuar hedh sytë në vendet që kanë stabilitet ekonomik dhe politik dhe Shqipëria prej vitesh ka dëshmuar që i ka të dy këto stabilitete. Sa i takon stabilitetit ekonomik dhe pse kemi pasur tri kriza, kemi pasur një rritje mjaft të mirë ekonomike dhe kemi pasur ulje të papunësisë, rritje të pjesëmarrjes së forcës së punës, duke ruajtur sërish një forcë pune me kosto të ulët. Sa i takon stabilitetetit të përgjithshëm, kemi punuar shumë gjatë viteve të fundit për të krijuar procedura të lehta, të aksesueshme dhe transparente dhe investimi që qeveria ka bërë në dixhitalizimin e të gjitha shërbimeve ka kontribuar për të gjithë këtë gjë“, deklaroi Ibrahimaj.
Ibrahimaj vuri në dukje se sot 95 % e shërbimeve ofrohen online.
“Nga regjistrimi te deklarimi tatimor, çdo gjë është elektronike, sepse kemi investuar që të sigurojmë procedura të lehta, jo procedura që kërkojnë kohë duke shmangur kontaktin me individët dhe vendosur atë me sistemin”, tha ajo.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se Shqipëria ka një kuadër ligjor miqësor sa i takon mbrojtjes së investuesve.
“Investuesit në një vend shohin edhe kuadrin ligjor Ne kemi hartuar një kuadër ligjor, miqësor, sa i takon mbrojtjes së investuesve, por edhe dhënies së stimujve për ta. Kemi një ligj për investimet strategjike që është i mbështetur në vlerën e investimit dhe numrin e vendeve të punës që krijon ky investim, por edhe llojin e investimeve. Kemi një sërë sektorësh strategjik, por kemi stimuj tatimor dhe lehtësira edhe në bujqësi prodhim dhe teknologji informacioni dhe novacion. Po kështu kemi zhvilluar një sërë zonash të lira të zhvillimit tregtar dhe tashmë po miratojmë një ligj për zonat e lira teknologjike, sepse ne besojmë se për vende si i yni investuesit përqendrohen në përpjekjen për të marrë lehtësira sa u takon taksave”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.
Më tej, ajo shtoi se ka potencial edhe në sektorin automotiv, sektorin e prodhimit të makinerive, por edhe përpunimin e metaleve sepse ka shumë njohuri në vend në këtë sektor specifik.