Ivana Trump, ish-skiatorja dhe ish modelja që do të bëhej gruaja e parë e Donald Trumpit, duke përfaqësuar kështu gjysmën e një çifti të fuqishëm në SHBA në vitet 1980, ndërroi jetë një ditë më parë në New York në moshën 73-vjeçare.

Nëna e tre fëmijëve të mëdhenj të ish presidentit, u shua në banesën e saj. Vetë Trumpi e përshkroi si “një grua të mrekullueshme, të bukur dhe mahnitëse, që pati një jetë të shkëlqyer dhe frymëzuese”.

“Ajo ishte shumë krenare për, Donald Jr, Ivank-an dhe Eric-un, ashtu siç ishim të gjithë ne krenarë për të. Pusho në paqe, Ivana!”, shkroi ai në rrjetin social Truth Social.

E lindur si Ivana Marie Zelnickova në 1949 në atë që ishte asokohe Çekosllovakia komuniste, ajo u rrit në qytetin e vogël të Zlinit.

I ati ishte inxhinier elektrik, e ëma punonte në postë. Filloi të merrej me ski që katër vjeç e më vonë do t`i bashkohej ekipit kombëtar të të rinjve.

Siç do të kujtonte e ëma më vonë, ajo që herët kërkoi të eksploronte jashtë qytetit të saj. Thjesht, nuk donte të qëndronte aty.

Shpejt do t`i hynte karrierës së modelingut, e në moshën 29-vjeçare takoi Donald Trumpin gjatë një pritjeje me modele të tjera në New York. Një vit më vonë, ishin të martuar.

Kur vinte fjala tek ambiciet, nuk mbetej pas të shoqit dhe mbajti një sërë pozicionesh brenda organizatës Trump e krijoi një markë të suksesshme mode, ndërsa mbetej ngushtësisht e përfshirë në projektet e biznesit të bashkëshortit.

Ishte ajo që zgjodhi mermerin rozë i cili zbukuron dyshemenë dhe muret e Kullës Trump, duke kaluar mbi vendimet e arkitektëve të ndërtesës, e insistoi dhe për shatërvanin e brendshëm madhështor.

Çifti do të kthehej shpejt në pjesë të pandashme të shkëlqimit të skenës sociale të New Yorkut. Ivana u gjet pa ndjenja në shtëpi pranë shkallëve.

Zyra e mjekut ligjor do të përcaktojë tani shkakun zyrtar të vdekjes. Ne deklaratën e familjes theksohet se ajo iku nga komunizmi dhe përqafoi SHBA-në, ndërsa do të kujtohet dhe për shprehjen e famshme drejtuar grave:

“Duhet të jeni të forta e të pavarura, e mos harroni, mos u zemëroni por merrni gjithçka!”