Pas afrimeve, mbi të cilat vazhdon të punohet, duke qenë se në sitë janë Leandro Paredes për mesfushën dhe një mes Alvaro Moratës dhe Andrea Belotit për sulmin, te Juventusi ka ardhur edhe ora e spastrimeve.

Tre emrat kryesorë që do të lehtësonin jo pak buxhetin e bardhezinjve janë Artur Melo, Marko Pjaca dhe Aron Ramsej. Mbi të tri futbollistët ka lëvizje të vazhdueshme, por risitë e fundit janë pak pozitive. Ja situata: Arsenali është skuadra që këmbëngul më shumë për brazilianin. Këtë javë “Topçinjtë” kanë intensifikuar takimet me agjentët e Arturit dhe krerët e Juves, duke dhënë shpresa për një zgjidhje pozitive.

Nëse nga ana e tij, Juventusi ka ulur pretendimet deri në 30 milionë euro, nga 72 që e pagoi, Arsenali fillimisht kërkonte vetëm huazimin e tij. Por dje duket se anglezët i kanë hapur dyert edhe kërkesës së Juves për ta bërë blerjen e Arturit të detyrueshme, me futjen e disa klauzolave për numrat e mesfushorit. Dhe nëse gjithçka shkon mirë, në ditët në vazhdim mund të vijë edhe huazimi në Londër, duke e liruar Juven nga një pagë prej 6 milionë eurosh neto në vit.

Ndërkohë, Marko Pjaca dje ka refuzuar kalimin te Sampdoria. Sulmuesi kroat që fiton 2.3 milionë euro në Torino dukej i sigurt drejt Xhenovas, por ka kërkuar kohë për të vlerësuar ofertat e tjera. Ndërsa për Aron Ramsejn, takimi i parë për prishjen konsensuale të kontratës 7 milionëshe në vit, ka përfunduar keq. Uellsiani ka kërkuar 4 milionë që të ikë, ndërsa Juvja nuk i ofron më shumë se 1.5.