Shefi i aeroportit Heathrow, një aeroport i madh ndërkombëtar ka fajësuar gratë për vonesat e tmerrshme për shkak të produkteve që marrim me vete, sipas mediave të huaja.
Në muajt e fundit, udhëtarët e Heathrow janë përballur me radhë të gjata, anulime të minutës së fundit dhe bagazhe të humbura. Për të frenuar kaosin, aeroporti kohët e fundit prezantoi një kufi ditor prej 100,000 vizitorësh dhe u kërkoi kompanive ajrore të ndalonin shitjen e biletave të reja për fluturimet e gushtit.
“Ata kanë më shumë çanta dhe më shumë lëngje në çantat e tyre, kështu që kjo kërkon pak më shumë kohë,” tha shefi ekzekutiv i Heathrow, John Holland-Kane për stacionin radiofonik “Leading Britain’s Conversation”.
“Ju duhet ta dini se rregulloret janë që njerëzit mund të udhëtojnë vetëm me një qese transparente, një litër dhe njerëzit priren të mos mendojnë për produktet e makeup-it si të ndaluar gjatë udhëtimit, kështu që nevojitet më shumë edukim për njerëzit.”
Meqenëse janë përgjithësisht gratë ato që bëjnë make-up, supozohet se komentet e tij u drejtohen udhëtareve femra.
Komentet janë të çuditshme duke marrë në konsideratë arsyen e vërtetë dhe madhore që ka shkaktuar kaos në Heathrow dhe në aeroporte të tjera. Siç të gjithë e dimë, në kulmin e pandemisë së Covid, aeroportet dhe linjat e fluturimit pushuan nga puna mijëra punonjës.
Tani, pasi udhëtimet kanë rinisur fuqishëm, aeroportet dhe linjat e fluturimeve përballen me mungesë të stafit. Mungesa e stafit dhe problemet me rekrutimin (procedura të gjata të kontrollit të sigurisë dhe kushte jo tërheqëse të punës) kanë shkaktuar kaos në fluturime dhe radhë të gjata.