Nga Ylli Pata/
Një nga partitë e koalicionit opozitar, përkatësisht partia e Dash Shehit, në deklaratën e saj mbi përkrahjen e protestës së 7 korrikut, theksonte se atje nuk do të vendoset se kush do të jetë shefi i opozitës. Në fakt, 7 korriku është një kurth politik që natyrisht nuk synon të vendosë, port ë imponojë me mjete jo politike zhvillimet brenda opozitës. Nëse protesta e 7 korrikut do të ishte një nismë e përbashkët e qarqeve opozitare zyrtare në vend, ku mund të ishte edhe influence e Sali Berishës për të sjellë përkrahësit e tij radikalë në shesh, atëherë edhe mund të thuhej se kemi të bëjmë me një zhvillim ku nuk vendoset për shefin e opozitës.
Më 7 korrik, natyrisht nuk vendoset se kush do të jetë shef i opozitës, e ky nënvizim i partisë së Dash Shehit është pranim i realitetit krejt të ndryshëm që sjell foltorja dhe qarqet mediatikeve pranë tij. Pasi procesi i konfigurimit të opozitës post-Berisha do të marrë kohën e vet, e do të kalojë në disa sfida të rëndësishme që do të jenë të vrullshme apo të ngadalshme, si pasojë e intensitetit që i japin protagonistët e tij. Megjithatë, thelbi është se kjo lëvizje, nuk ka të bëjë fare me aksionin e një galvanizimi të aksionit opozitar, por me një lëvizje imponuese të Sali Berishës, një vit pasi është ndëshkuar prej qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sali Berisha, kërkon që të udhëheqë proceset që do të prodhojë jo vetëm vendimi i gjykatës së apelit mbi legacy-në e brendshme në PD, por edhe konfigurimin që do të kenë në shtator grupet parlamentare të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Tashmë është e qartë se opozita ka disa grupe që ecin paralel me njëri tjetrin: grupi parlamentar i 35-ëshes që drejtohet nga Alibeaj, grupi i Berishës, ai i Fatmir Mediut, Mesila Dodës, e natyrisht grupi i deputetëve të LSI-së. Që të bashkohen të gjithë këto grupe, për të nisur më pas një process kombëtar galvanizimi të bazës opozitare në Shqipëri, duhet në radhë të parë të qartësohet çështja e lidershipit të opozitës. E nëse siç kërkon Sali Berisha që të jetë ai qendra gravitacionale e opozitës shqiptare ka dy probleme të mëdha të dukshme. i pari është qënia e tij si i ndëshkuar nga qeveria Amerikane, që siç ka deklaruar Uashingtoni, është një pengesë e fortë për të vijuar një marrëdhënie të afërt me opozitën. E i dyti është ndarja e thellë, reale, por edhe organizative që ekziston brenda Partisë Demokratike.
Një ndarje që është organike, e përcjellë në të gjitha institucionet e mbetura por edhe grupet e demokratëve nga qendra deri në bazë. Tashmë degët e Sali Berishës janë paralele me ato të PD-së zyrtare, që presin të gjithë vendimin e gjykatës për të vepruar. Edhe sikur Apeli t’i japë të drejtë Berishës ne do të shikojmë një përjashtim të grupit “lojalist” në PD dhe zaptim të plotë të partisë-së nga doktori dhe jo një bashkim të saj. E gjithë kjo manovër është një furtunë imponimi, e jo një proces politik, i cili nëpërmjet zgjedhjes dhe koherencës bashkon palët në Partinë Demokratike. Megjithatë ka një gjë pozitive që 7 korriku si kurth po e imponon së bashku me objektivin e Sali Berishës. Sipas të gjitha gjasave aty do të ndahet shapi nga sheqeri jo se kush nuk e do Edi Ramën, pasi dëshira nuk është opsion politik, po se kush zgjedh të rreshtohet në hartën aktuale të opozitës.
Më 7 korrik ne do të mësojmë se kush do të jetë me Sali Berishën dhe kush nuk do të jetë me të. Edhe kur të kthehen nga pushimet në shtator, në Parlament do të kryhen veprimet reale për të ngjizur grupet politike. Një vit më parë, Lulzim Basha, që ishte lider i PD-së, i dha aleatëve të tij deputetët borxh për të formuar grupet e tyre për efekte pragmatiste. Në shtatorin e ardhshëm, kjo nuk do të bëhet nga më nga Basha, por nga vetë deputetët, të cilët do vendosin vetë se me këtë duan të jenë.
Askush nuk mund të fshihet më, por politikisht e qartësisht çdo rreshtim pro Berishës është edhe një vullnet i pastër politik, i cili është edhe bashkangjitje e qëndrimit anti-amerikan që “Shtëpia e Lirisë” e ka tashmë flamurin kryesor. Realisht, më 7 korrik nis realpolitika e opozitës shqiptare…