Kiko është tashmë majmuni më i famshëm në Shqipëri. Lajmi se një majmun kishte dalë nga kafazi dhe kishte qëlluar me shpulla policët bashkiakë në Sarandë ditën e djeshme u bë viral shumë shpejt.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe biznesi, i cili ka në pronësi Kikon. Përmes një Instastory, ata shprehen se majmuni është i familjarizuar me njerëzit.

“Përshëndetje të dashur miq, ky në foto është Kiko. Kiko është një majmun që ne prej vitesh e kemi, është i familjarizuar me njerëz, me njerëz që e duan dhe jo me njerëz që vrapojnë pas tij me shkopinj e gurë. Ne menduam se pas kaq vitesh në kafaz, do ishte mirë që të ishte i lirë. Nga dëshira e tij për të eksploruar vendin, ai del xhiro dhe kthehet prapë në shtëpinë e tij. Ai është majmun… po mbase nuk keni parë majmun…, por ju lutem e lini të qetë, në lirinë e tij… Ai e ka një shtëpi dhe një familje…!”, thuhet në reagimin e biznesit në Sarandë.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme kur policët bashkiakë shkuan që të kapin një majmun të dalë nga kafazi. Në tentativë e sipër ata janë rrahur me shpulla nga Kiko. Abcnews.al mëson se gjithçka nisi kur një majmun, që rrinte në kafazin e një hoteli në zonë, është nxjerrë nga i zoti për të shlodhur këmbët duke bërë një xhiro përreth biznesit. Por, teksa kanë parë këtë, qytetarëve iu është dukur si ari dhe menjëherë kanë njoftuar Policinë Bashkiake që të ndërhyjë.