Numri i të vdekurve nga një sulm me raketa ruse në një ndërtesë apartamentesh pesë-katëshe në qytetin Chasiv Yar në Ukrainën lindore është rritur në të paktën 33. Ekuipazhet e urgjencës punuan për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat. Zelenskiy akuzoi Moskën për shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve në sulmin që shkatërroi tre ndërtesa në një lagje banimi. Viktima e fundit, një fëmijë nëntë vjeçar, u nxor nga rrënojat të hënën në mbrëmje, thanë shërbimet e emergjencës shtetërore të Ukrainës.

Ukraina planifikon të mbledhë një forcë luftarake me mbi 1 milion ushtarë të pajisur me armë perëndimore për të rimarrë territorin e saj jugor nga Rusia. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, urdhëroi ushtrinë të rimarrë zonat e pushtuara rreth bregut të Detit të Zi që janë jetike për ekonominë e vendit, tha ministri i mbrojtjes Oleksii Reznikov.

Tetë anijet e para të huaja kanë mbërritur në portet e Ukrainës për të eksportuar produkte bujqësore, ndërsa Marina ukrainase është e angazhuar për të siguruar transport të sigurt. Lajmi është bërë i ditur në Facebook nga shërbimi për shtyp i Marinës, raporton Ukrinform .

Qeveria iraniane po përgatitet të furnizojë Rusinë me dronë, përfshirë disa të armatosur. Kështu deklaroi këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

“Çështje me interes të ndërsjellë”, sipas Kremlinit, këto janë temat e diskutuara në bisedën telefonike të zhvilluar mes presidentit rus Vladimir Putinit dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Të dy, të cilët do të takohen në të ardhmen e afërt, biseduan për eksportet e drithit por edhe për koordinimin e përpjekjeve për sigurinë e lundrimit në Detin e Zi. Në fund të bisedës telefonike Erdogan dëgjoi dhe presidentin ukrainas Zelensky edhe për zhbllokimin e eksporteve të drithit.

BE do të propozojë një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë. Paketa pritet të miratohet në javët e ardhshme, sipas Bloomberg.

“Propozimi mund të përfshijë kufizime në importet e arit, masa për të rregulluar sanksionet e mëparshme dhe lista të mëtejshme të individëve dhe subjekteve”, thonë burimet e agjencisë amerikane.