Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Rektorin e Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata morën pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të mjekësisë dhe të shkencave mjekësore teknike të viteve 2020 dhe 2021.
Gjatë fjalës së saj Ministrja Kushi theksoi se për Mjekësinë e Përgjithshme Ministria e Arsimit sapo ka miratuar 100 kuota shtesë.
“Sot kam një lajm shumë të mirë për Universitetin e Mjekësisë. Për mjekët, për pedagogët, por edhe për maturantët që sapo janë diplomuar.
Sapo kemi miratuar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit 100 kuota shtesë në raport me vitet e kaluara për programin Mjekësi e Përgjithshme,” – tha znj. Kushi.
Për këtë, ministrja falënderoi veçanërisht Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu për mbështetjen, duke vënë në dispozicion të gjithë infrastrukturën e Qendrës Spitalore Universitare për të mundësuar formimin e mjekëve të rinj.
Znj. Kushi theksoi se ky brez i të sapodiplomuarve do të mbetet i veçantë nga të tjerët për shkak të situatës së jashtëzakonshme që solli pandemia Covid -19, ku shumë prej tyre edhe u angazhuan vullnetarisht në përballjen e krizës shëndetësore duke i qëndruar besnik betimit të Hipokratit.
Më tej Ministrja Kushi shtoi se dëshira është që këta të diplomuar të vijojnë të qëndrojnë në Shqipëri dhe se po punohet shumë që t’u krijohen atyre mundësi të mira zgjedhjeje për vijimin e mëtejshëm të studimeve dhe punësimit, me anë të ndërkombëtarizimit të universiteteve, rritjen e numrit të kuotave për programin Mjekësi e Përgjithshme, përfshirjen e studentëve dhe të diplomuarve në kërkimin shkencor, përmirësimin e infrastrukturës spitalore, etj.
Në përfundim ministrja ka falënderuar ekipin e mjekëve dhe pedagogëve, që kanë punuar plot pasion e profesionalizëm në formimin e të diplomuarve, si dhe familjet e tyre që i kanë mbështetur gjatë gjithë kohës.