Parlamenti i Moldavisë ka zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme për 60 ditë tjera, pasi Qeveria ka thënë se ende i duhet më shumë pushtet për t’u përballur me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Kryeministrja moldave, Natalia Gavrilita, u ka thënë ligjvënësve se ka rreziqe të vazhdueshme për energjinë dhe sigurinë kufitare.

Ajo ka përmendur edhe nevojën e menaxhimit të valës së refugjatëve nga Ukraina.

“Rreziku për Moldavinë, për shkak të luftës në Ukrainë, është i lartë. Qeverisë i duhet pushtet shtesë”, ka thënë ajo.

Gjendja e jashtëzakonshme do të zbatohet nga 8 gushti deri më 8 tetor.

Rreth 500.000 banorë të Ukrainës kanë ikur nga shteti i tyre, prej kur Rusia ka nisur pushtimin në muajin shkurt.

Rreth 100.000 prej tyre vazhdojnë të jenë në Moldavi.

Parlamenti i Moldavisë ka shpallur fillimisht gjendjen e jashtëzakonshme dy ditë pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Kjo masë është zgjatur më pas përmes votimeve në prill dhe qershor.

Moldavia nuk është as anëtare e Bashkimit Evropian dhe as NATO-s.

Ajo bashkë me Ukrainën, kanë marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në bllokun evropian, në qershor të këtij viti.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./R.E.L