Tregtarët kanë zëvendësuar qeset e dëmshme plastike njëpërdorimëshe, ndërsa shumë blerës po marrin trasta për pazar.
Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, përgjatë gjithë muajit qershor ka vijuar me sensibilizimin e operatorëve ekonomikë, për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për ndalimin e qeseve plastike mbajtëse nën parametrat dhe dimensionet që parashikon ligji, si dhe për ndalimin e qeseve oxo-biodegradueshme dhe oxodegradueshme.
Operatorët ekonomikë ndalohen të përdorin ose ofrojnë qese plastike mbajtëse me përmasa më të vogla se 50 cm gjatësi dhe 24 cm gjerësi (pa përfshirë gjerësinë e palosjeve) me kapacitet mbajtës më të vogël se 10 kg, me trashësi nën 70 mikron.
Kryeinspektori i ISHMT-së, Gazmend Osmani bëri të ditur se gjatë muajit qershor janë verifikuar 275 subjekte.
“Subjektet janë vënë në dijeni për detyrimet për zbatimin e v.k.m për ndalimin e qeseve plastike mbajtëse nën parametrat dhe dimensionet që parashikon ligji, si dhe për ndalimin e qeseve oxo-biodegradueshme dhe oxodegradueshme. Inspektorët kanë kryer 275 vizita sensibilizuese në operatorë të ndryshëm ekonomik”, theksoi ai.
Qeveria ka vendosur që nga data 1 qershor 2022, prodhimi, importi dhe përdorimi i qeseve plastike mbajtëse si dhe e qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme të ndalohet me ligj.
Ligji parashikon edhe gjoba deri në 1,5 milionë lekë për importuesit, prodhuesit dhe tregtuesit e qeseve plastike.
“Përgjatë muajit qershor nuk ka pasur vendosje masash. Ndërkohë nga 1 korriku ka nisur zbatimi i masave ndëshkuese për shitësit që gjenden duke përdorur qese plastike nën parametrat dhe dimensionet që parashikon ligji, si dhe qeseve oxo-biodegradueshme dhe oxodegradueshme”, u shpreh kryeinspektori Osmani.