Nga Plarent Ndreca/
Dje, rastësisht në nje prej portaleve, nga ata që hyjnë “dhunshëm” në hapësirën tënde të smartphone-it, pashë një prej shfaqjeve më të shëmtuara, që më kishin zënë sytë që prej shfaqjeve në filmimet e arkivit të shtetit, që i publikon herë pas here Fevziu në Opinionin e tij.
Pashë një përfaqësues ndërkombëtar (nuk ka rëndësi fare emri as se ç’përfaqëson ai individualisht) që i hakërrehej dhomës së posaçme të apelimit, apo më saktë dhomës së vetingut në Gjykatën Kushtetuese, për vendimin e sapo dhënë prej saj.
Ishte e pa imagjinueshme shfaqja, mirë që ishte me zë e figurë. Një palë në proces që lëshonte rrufe idhnimi ndaj trupës prej 5 gjyqtarësh kushtetues, që rrinin aty të mpirë, të palëvizur dhe të paralizuar ndaj këtij denigrimi harbut, që i bëhej jo thjesht atyre, por Republikës në emër të së cilës ata kishin marrë vendimin.
E kam thënë disa herë publikisht dhe e përsëris prapë, që një prej problemeve në themel të shoqërisë sonë është mosrespektimi i instiucioneve në veçanti dhe i shtetit në përgjithësi. Ne kemi një kulturë (arsyet nuk është momenti ti shtjelloj) të ulët, shumë të ulët të respektimit dhe “përuljes” ndaj vendimmarrjeve institucionale. Kjo sëmundje nuk po arrihet të shkulet nga trupi i brishtë i shtetit tonë të së drejtës, sigurisht me kontributin e të gjithëve, politikës, medias, shoqërisë civile, por edhe të vetë atyre që i lëshojnë këto vendime.
Le të kuptohemi, respekt apo “përulje” ndaj institucioneve nuk do të thotë domosdoshmërisht dakordësi ndaj vendimmarrjeve të tyre, nuk do të thotë aspak heqje dorë nga e drejta për të observuar mbi të, apo për të shfrytëzuar të gjithë instrumentat që një shtet i së drejtës garanton për ta kundërshtuar atë vendim. Përkundrazi një qasje e tillë tregon respekt institucional dhe dinjitet qytetar.
Por kur sheh një përfaqësues ndërkombëtar, përfaqësues i atyre që kanë kontribuar aq shumë, pikërisht në instalimin e kësaj vlere për të cilën po flas, që dhunon aq hapur e aq në mënyrë të pacipë, jo thjesht trupën gjyqësore, por vendimin e dhënë tashmë në emër të Republikës, sigurisht që ndjen një pezmatim brengues.
Por, në atë shfaqje tërësisht të shëmtuar, pjesa më e shëmtuar dhe më brengosëse ishte (mos) reagimi i trupës Kushtetuese. Përveç një rrotullimi të një prej anëtareve të trupës në tentativë për t’u larguar e gjithë pjesa tjetër kishte shtangur dhe dëgjonte akuzën publike që një palë në proces i bënte vendimit më të lartë në juridiksionin tonë të brendshëm.
Tani, unë nuk e di nëse vendimi ishte i drejë apo i gabuar, pasi nuk e njoh çështjen (prirem të mendoj që gjykata ka marrë vendimin e duhur), por (mos) reagimi i trupës gjyqësore kushtetuese ndaj asaj sjelljeje të shëmtuar, i padenjë edhe për një sistem gjyqësor të botës së tretë, i ka hedhur një hije të rëndë dyshimi jo vetëm vendimmarrjes, por edhe vetë integritetit të kësaj dhome të Gjykatës Kushtetuese. Paaftësia apo pamundësia e tyre për të mos lejuar këtë shfaqje të shëmtuar publike, mosreagimi i tyre në sallë, por as pas seancës, ndaj një sjellje të tillë, tregon që mosrespektimi i instititucioneve (sëmundja që fola më lart) fillon nga vetë institucioni për vendimet e tij.
Nëse do kishin sadopak respekt për togën e tyre dhe për Republikën që përfaqësojnë, një shfaqje e tillë në një shtet të së drejtës nuk mund e nuk duhej të lejohej të ndodhte.
Nësë gjyqtarët kushtetues nuk kanë integritetin e nevojshëm për të mbrojtur vendimet e tyre, nuk mund të presin që këto vendime ti respektojnë të tjerët. Ne duhet të gjithë si shoqëri të kultivojmë respektin ndaj institucioneve tona, por nëse vetë institucionet nuk kanë respekt për vendimet e tyre, kjo ndërmarrje nuk ka asnjë shans të bëjë asnjë hap para, por është e destinuar të dështojë që në nisje. Në fund të fundi respekti për vendimet institucionale është respekt për Republikën tonë.
Kështuqë fort të nderuar gjyqtarë kushtetues, ose mbroni Republikën ose mos jepni vendime në emër të saj!