Për të mësuar çfarë do të ndodhë me propozimin francez, jemi sërish sot me sytë nga Shkupi. Parlamenti në Maqedoninë e Veriut do të tentojë të miratojë draftin, pas dështimit një ditë më parë. Ndërkaq opozita vijon protestat dhe mbrëmë janë arrestuar 10 protestues.

Një numër i madh deputetësh kanë kërkuar të mbajnë fjalën e tyre në parlament, ndaj dhe seanca pritet të jetë e gjatë.

Gjate takimit që pati një ditë më parë me presidenten e Komisionti Europian, Ursula Von der Leyen, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski e riafirmoi qëndrimin se pranimi i propozimit francez do të mundësojë zhbllokimin e procesit te integrimit dhe hapjen e fazës së parë të negociatave. Por ai theksoi se gjuha dhe identiteti maqedonas duhet të respektohen dhe garantohen nga ana e Bashkimit Evropian.

Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por jo edhe opozita, e cila, prej dy javësh organizon protesta. Para ndërtesës së Kuvendit, edhe ditën e djeshme u mblodhën protestues me flamuj e pankarta në duar. Disa prej tyre qëlluan me sende të forta drejt godinës.

Pika e propozimit që ka nxitur më së shumti debat, është ajo e gjuhës maqedonase, e cila kontestohet nga Sofja, me pretendimin se para vitit 1945 ajo ka pasur “rrënjë bullgare”, sikurse edhe e kaluara e shumë figurave historike, identiteti i të cilave pretendohet nga të dyja shtetet. Opozita maqedonase, mbetet në qëndrimin se propozimi “rrënon” identitetin maqedonas, gjuhën dhe të kaluarën historike.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit me presidenten e KE-së, Von del Leyen, përsëriti qëndrimin se propozimi është i dëmshëm pasi në një protokoll që pritet të nënshkruhet me Sofjen, do të negociohet edhe për aspektet historike dhe gjuhën. Ndërkohë partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet dhe Aleanca për Shqiptarët në opozitë, e mbështesin propozimin, si “zgjidhja e vetme dhe më e mirë e mundshme për zhbllokimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”.