CEO i Meta, Mark Zuckerberg njoftoi sot se kompania po sjell më shumë funksione për syzet e saja inteligjente Ray-Ban Stories.
Duke filluar nga sot, përdoruesit e Ray-Ban Stories mund të bëjnë telefonata, të lexojnë dhe të dërgojnë mesazhe të enkriptuara nga WhatsApp. Meta shtoi funksione të ngjashme për Facebook Messenger vitin e kaluar, transmeton Telegrafi. Zuckerberg njoftoi gjithashtu se përdoruesit së shpejti do të jenë në gjendje t’u përgjigjen drejtpërdrejt mesazheve të Messenger ose WhatsApp me komanda zanore.
Me këtë përditësim të ri, përdoruesit mund të bëjnë telefonata dhe të dërgojnë mesazhe në WhatsApp pa duar duke thënë “Hej Facebook, dërgo një mesazh te…” ose “Hej Facebook, telefono…” Ju gjithashtu mund të dëgjoni mesazhet e reja që merrni në WhatsApp. Kompania vëren se mesazhet dhe telefonatat tuaja personale sigurohen automatikisht nga fillimi deri në fund, që do të thotë se WhatsApp, Meta dhe palët e treta nuk mund t’i lexojnë ose dëgjojnë ato. Pasi asistenti zanor identifikon një komandë zanore në lidhje me thirrjet ose mesazhet në WhatsApp, transkripti zanor dhe audio nuk ruhen në asnjë server.
Meta thotë gjithashtu se ka në plan të zgjerojë mbështetjen e WhatsApp dhe Messenger për përdoruesit e Ray-Ban Stories që flasin frëngjisht dhe italisht këtë vit. Ndryshe, Meta solli syzet e saja inteligjente Ray-Ban Stories në shtator të vitit 2021 në partneritet me gjigantin e syzeve EssilorLuxottica. Syzet i lejojnë përdoruesit të bëjnë foto dhe video me dy kamerat 5 MP, të dëgjojnë muzikë me altoparlantët brenda kornizës dhe të marrin telefonata.
Syzet duhet të lidhen me një pajisje iOS ose Android për funksionalitet të plotë, megjithëse përdoruesit mund të bëjnë dhe ruajnë qindra foto ose dhjetëra video në syze përpara se t’i transferojnë në telefonat e tyre nëpërmjet aplikacionit të ri View të Facebook. Kamerat binjake i lejojnë përdoruesit të shtojnë efekte 3D në fotot dhe videot e tyre pasi t’i ngarkojnë ato në aplikacion.
Ndryshe, çmimet fillestare e këtyre syzeve kapin shifrat e 299 dollarëve.