Sot është shënuar dita e 145-të e luftës Rusi-Ukrainë, me sulme të vazhdueshme ndërsa forcat ruse po përqëndrohen tashmë në Jug të Ukrainës. Lufta vazhdon pa pushim dhe ende nuk dihet se kur do të përfundojë, të paktën kështu ka deklaruar edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas la repubblica.
“Nuk ka një datë të saktë për përfundimin e “operacionit special ushtarak” në Ukrainë. Aspekti thelbësor nuk është koha, por efektiviteti”, tha Peskov në një intervistë për mediat iraniane.
Por çfarë ka ndodhur deri më tani?
–Presideni ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar kreun e shërbimit të sigurisë të vendit dhe prokuroren e përgjithshme, duke pretenduar se më shumë se 60 punonjës të tyre kanë “punuar kundër” Ukrainës në territorin e pushtuar nga Rusia.
-Rusia po përgatitet për fazën tjetër të sulmeve në Ukrainë, sipas zyrtarëve ushtarakë ukrainas, pasi Moska tha se forcat e saj do të rrisin operacionet ushtarake në “të gjitha zonat operacionale”.
-1,346 civilë janë gjetur të vdekur në rajonin e Kievit pas tërheqjes së forcave ruse, sipas shefit të policisë së rajonit. Andriy Nebytov tha se rreth 300 individë ishin ende të zhdukur dhe se 700 nga të vrarët u qëlluan me armë të vogla, si pistoleta.
-Rusia ka humbur më shumë se 30% të efektivitetit luftarak tokësor; 50,000 ushtarë të saj ose kanë vdekur ose janë plagosur në konflikt, tha për BBC Admirali Sir Tony Radakin, shefi i shtabit të mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar.
-Njerëzit varrosën një vajzë katërvjeçare, e cila u vra nga një sulm me raketa ruse në qytetin Vinnytsia, në Ukrainën qendrore, javën e kaluar. Vrasja e Liza Dmitrieva, e cila kishte sindromën Down, u raportua në mbarë globin, duke u bërë një simbol prekës i kostos së rëndë civile të pushtimit rus.
-Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të udhëtojë në Baku të hënën për të kërkuar më shumë gaz natyror nga Azerbajxhani, tha ekzekutivi i BE-së, ndërkohë që BE-ja kërkon të reduktojë varësinë e saj nga energjia ruse.