Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit të Peshkopëve të Bashkimit Evropian, COMECE, Manuel Barrios Prieto, tha në Bruksel, se Parlamenti i BE-së po shkel një territor që është jashtë kompetencave të tij dhe po ndërhyn në çështjet e brendshme të shteteve demokratike.
COMECE, që përfaqëson konferencat e peshkopëve katolikë pranë institucioneve të BE-së paralajmëroi kundër promovimit të “agjendave politike radikale”, duke thënë se ato rrezikojnë të drejta themelore si liria e mendimit dhe fesë dhe dëmtojnë kohezionin social.
Kërkesa e Parlamentit Evropian për ta përfshirë abortin në Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian mund ta rrezikojë seriozisht reformën e traktateve të BE-së dhe të intensifikojë mosmarrëveshjet midis qytetarëve dhe shteteve anëtare, tha Barrios Pietro.
Sipas fesë katolike jeta e individit duhet të mbrohet që nga ngjizja deri në vdekjen e tij natyrore.
BE: Prirje e qartë drejt legalizimit të abortit
Në Evropë duket një prirje e qartë drejt legalizimit të abortit dhe heqjes së pengesave ligjore dhe politike. Shumë vende evropiane, ndër to edhe vende me popullsi katolike si Irlanda dhe Spanja, i kanë rishikuar ligjet e tyre për abortin, duke hequr masat që e bëjnë abortin të vështirë ose të paligjshëm.
Irlanda, ku aborti ndalohej me ligj që prej vitit 1983, e ka rishikuar legjislacionin e saj, pasi në një referendum në vitin 2018, irlandezët votuan me shumicë dërrmuese kundër këtij ndalimi.
Nga ana tjetër në Maltë aborti është i ndaluar dhe edhe në Poloni apo Hungari aktualisht po vendosen rregulla shumë strikte dhe barriera për abortin./ Marrë nga DW