Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi gjatë takimit të organizuar në Pogradec me kryetarët e bashkive të qarkut Kukës dhe Lezhë, kërkoi bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve arsimore dhe bashkive.

Gjatë fjalës së saj Znj. Kushi u fokusua tek nevoja për cilësi dhe standard të lartë në ndërtimin ose rindërtimit të godinave shkollore, përgatitja logjistike për fillimin e vitit të ri shkollor nga ana e bashkive, si dhe bashkëpunimi më i mirë me Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar në lidhje me sigurimin e transportit për nxënësit që ndodhen në zonat e largëta.

Gjithashtu ajo kërkoi mbështetjen e bashkive për një vëmendje të shtuar ndaj programit “Shkollat Qendër Komunitare” dhe “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, ku kërkohet që shkollat të jenë në dispozicion të tyre edhe pas orarit mësimor në mënyrë që atje të zhvillohen edhe aktivitete sportive, kulturore dhe sociale.

Znj. Kushi një kërkesë të veçantë e kishte edhe për ngrohjen në shkolla. Ajo kërkoi që në kohën kur parashikohet buxheti, një zë i veçantë duhet t’i kushtohet ngrohjes në shkolla.

Për sa i përket procesit të konsultimit publik për rishikimin dhe ndryshimet e mundshme të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, Ministrja lajmëroi se së shpejti është parashikuar një seancë konsultimi me kryetarët e bashkive për të marrë opinione dhe sugjerime.

Ndërkohë, për bashkitë e qyteteve që kanë universitete ministrja Kushi kërkoi bashkëpunim të ngushtë bashki-universitet për sa i përketë “Misionit të Tretë”, që njohuritë dhe rezultatet e kërkimit shkencor t’i përcjellin përtej hapësirave akademike, që do të thotë një bashkëpunim më i ngushtë me të gjitha institucionet, bizneset për të dhënë më shumë kontribut në zhvillimin ekonomik, social, kulturor të zonave.