Niveli më i ulët i lindjeve nënkupton edhe më shumë vëmendje për fëmijët. OKB-ja sheh mundësi të mëdha në këtë drejtim – në radhë të parë sa i përket shkollimit dhe edukimit.
Për herë të parë që nga fillimi i regjistrimeve nga Kombet e Bashkuara në vitin 1950, shkalla e rritjes së popullsisë botërore është më pak se një përqind në vit – aktualisht është 0.8 për qind, njoftohet nga Fondacioni Gjerman për Popullsinë Botërore (DSW). Për shkak të pandemisë së koronës, jetëgjatësia ka rënë në mesatarisht 71 vjet në vitin 2021. Në vitin 2019 jetëgjatësia ishte 72.8 vjet.
Fondacioni bën të ditur se aktualisht në këtë planet ka 7.977.000.000 njerëz. Shifra prej tetë miliardë banorësh do të arrihet afërsisht më 15 nëntor të këtij viti. Shkalla e lindjeve është ende e lartë, veçanërisht në jug. Atje shumë vajza dhe gra “ende kanë më shumë fëmijë sesa do të dëshironin,” thotë zëvendësdrejtoresha e DSW, Angela Bähr.
Edukimi seksual dhe aksesi në kontraceptivë
Në Afrikën Sub-Sahariane, për shembull, numri mesatar i fëmijëve për një grua është 4,6 – që shumë më i lartë se mesatarja globale prej 2.3, pavarësisht numrit në rënie. Mundësia e planifikimit familjar që në moshë të re nuk është vetëm një e drejtë njerëzore, por edhe çelësi i luftimit të varfërisë, shpjegon Bähr. “Prandaj ne i bëjmë thirrje qeverisë federale që edukimi seksual dhe qasja në kontraceptivë duhet të jenë gurëthemeli i një politike të zhvillimit feminist.”
Deri në fund të shekullit të tanishëm, rreth tre herë më shumë njerëz do të jetojnë në Afrikë se sot, pothuajse 4,3 miliardë – rreth 40 përqind e popullsisë së botës. Drejtuesit më të mëdhenj janë dhjetë vende nga të cilat do të vijnë më shumë se gjysma e të gjithë të porsalindurve në vitin 2050: Nigeria, Etiopia, Egjipti, Republika Demokratike e Kongos, Tanzania, Afrika e Jugut, Kenia, Uganda, Algjeria dhe Sudani.
Parashikimi për vitin 2080: 10,4 miliardë njerëz
Megjithatë, sipas DSW, tendenca globale drejt rritjes më të ngadaltë do të ketë ndikim edhe në Afrikë. Drejtori i departamentit të popullsisë së OKB-së, John Wilmoth, sheh mundësi të mëdha në këtë drejtim – pavarësisht nga të gjitha dallimet rajonale. Përveç luftimit të varfërisë dhe urisë, kjo vlen veçanërisht për çështjen e arsimit: më pak fëmijë e rrisin edhe vëmendjen ndaj tyre dhe hapin mundësi të reja për shkollim dhe edukim. “Kur bie madhësia mesatare e familjes, si familjet ashtu edhe shoqëritë do të jenë në gjendje të investojnë më shumë për secilin fëmijë, të përmirësojnë cilësinë e arsimit dhe të zhvillojnë kapitalin njerëzor të popullsisë”, tha Wilmoth për Agjencinë Gjermane të Shtypit DPA.
Studiuesit parashikojnë se do të ketë 8.5 miliardë njerëz në planet deri në vitin 2030 dhe 9.7 miliardë deri në vitin 2050, përpara një piku prej 10.4 miliardë njerëz në vitin 2080, i cili vlerësohet të zgjasë deri në vitin 2100./DW