Princesha e Uellsit vdiq më 31 gusht 1997, pas një përplasjeje me makinë në një nënkalim të Parisit pas një ndjekjeje me shpejtësi të lartë me paparacët. Ndërkohë, përvjetori i ndarjes nga jeta ka ngritur shumë pyetje për jetën dhe vdekjen e Dianës.
A mund të vizitoni varrin e Princeshës së Uellsit?
Ditët pas vdekjes së 36-vjeçares u panë skena që i ngjanin histerisë masive, teksa fansat britanikë rrinin në radhë për të shtuar një det me lule përpara Pallatit Kensington. Në ditën e funeralit të saj, më shumë se një milion njerëz u rreshtuan në rrugë për të nderuar Princeshën e Popullit ndërsa arkivoli i saj përshkoi katër milje midis pallatit dhe Westminster Abbey.
Diana u varros më vonë atë ditë në një ceremoni private në Althorp Park, pasuria e familjes Spencer. Ajo kishte veshur një fustan koktej leshi të zi me mëngë të gjata nga Catherine Walker, të cilin e kishte porositur vetëm disa javë para se të vdiste, dhe mbante një sërë rruazash që ishin dhuratë nga Nënë Tereza.
Fillimisht Diana supozohej të varrosej në një kishë lokale, por skenat e pikëllimit pas vdekjes së saj bënë që vëllai i saj Earl Spencer të shqetësohej se vendi i saj i varrimit mund të mbytej me vizitorë. Për të siguruar që djemtë e saj dhe anëtarët e tjerë të familjes të mund ta vizitonin varrin e saj në privatësi, Diana u varros në një ishull në mes të një liqeni dekorativ. Rruga drejt liqenit është e veshur me 36 lisa, secila prej të cilave përfaqëson një vit të jetës së Dianës.
Pra, megjithëse nuk mund të vizitoni varrin e Dianës, Althorp është i hapur për vizitorët gjatë verës (të paktën kur nuk ka ndonjë pandemi). Mund të shikoni përtej liqenit te bazamenti i bardhë i përkujtimores që shkëlqen mes gjelbërimit të harlisur dhe të vizitoni tempullin buzë liqenit kushtuar Dianës dhe ku vizitorët mund të lënë homazhe./M.K/dritare.net