Kryeministri Edi Rama ftoi sot sipërmarrësit holandezë të investojnë në Shqipëri, ndërsa i informoi se 95% e shërbimeve publike ka kaluar online duke ulur kështu korrupsionin.

Kryeministri Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj zhvilluan sot një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit holandez që operojnë aktualisht në Shqipëri, si edhe me investitorë të tjerë, të interesuar për të zgjeruar aktivitetin e tyre në vendin tonë.

“Nuk dua të presupozoj se nuk ka korrupsion dhe burokraci. Patjetër që ka, por ndryshimi është vërtetë, vërtetë shumë i fortë dhe tani kemi kaluar në një situatë ku 95% e shërbimeve publike janë online. Nuk ke nevojë të shkosh në zyra”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se në Shqipëri janë mbyllur të gjitha sportelet dhe shërbimet merren përmes një platforme online.

“Kjo sigurisht e ka ulur shumë shkallën e korrupsionit sepse e ka eliminuar personin e ndërmjetëm dhe kaq shumë zyrtarë që deri dje ishin dhimbje koke për njerëzit. Tani janë në pamundësi të plotë për të takuar njerëzit, pasi punojnë pas ekraneve për të siguruar shërbimet”, tha Rama.

Kryeministri shprehu besimin se vendi është në rrugë të mbarë në këtë drejtim, edhe pse ka shumë për të bërë.

“Besoj fort se ka ardhur koha që më shumë të vijnë të investojnë”, tha Kryeministri.