Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në një takim me sipërmarrës holandezë, se i gjithë procesi i digjitalizimit të titujve të pronësisë është në vijimësi.
“Shpresoj fort që në 2024 i gjithë procesi i titujve të pronësisë do të jetë i digjitalizuar. Ky është lajm mjaft i mirë”, tha Rama, në takimin me sipërmarrësit holandezë, që u zhvillua në kuadër të vizitës së tij në Holandë.
“Kemi një histori tjetër e gjatë që nuk duam që kjo audiencë t’i hyjë, pronat. Kjo sagë e pronësisë, por dy gjëra. Në fushën ku ju punoni për shkak të një tradite ndryshe, ligji për rishpërndarjen e pronave pas komunizmit nuk u zbatua. Ka edhe gjëra të tilla në pjesën tonë të botës, që ligji edhe mund të mos zbatohet sepse ligji mbështetej në konceptin e shpërndarjes së tokës, të gjithë njerëzve që ishin anëtarë të kooperative komuniste, pra të shpërndahej një copë tokë e t’u jepej mundësia që të bëheshin të vetëmjaftueshëm individualisht. Ndarja u bazua në një formulë, por në atë pjesë të Shqipërisë ku ju prodhoni, njerëzit njihnin kufijtë e vjetër, tokat e vjetra familjare. Kështu që praktikisht ata bënë diçka që nuk qe e mundur të bëhej në këtë nivel në të gjithë vendin, që mbështetur në kufijtë e vjetër dhe në traditën e tyre, të trajtimit të kësaj çështjeje si burrat, është pak shumë si burrat, por kështu është dhe ranë dakord kështu”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se tani është ndryshuar ligji për të ndryshuar kushtet që kjo të funksionojë.
“Tashmë shpërndarja ka nisur në disa zona. Nëse ende nuk ka nisur në zonën tuaj, do të bëhet, do të ndodhë”, shtoi ai.