Doktori pneumolog Ardian Jorgji ka deklaruar se rastet me Covid-19 janë shtuar në krahasim me vitin që shkoi në këtë periudhë.

I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ai u shpreh se shumica e rasteve nuk janë të rënda, pasi nisin me simptoma të thjeshtë. Si pasojë, kjo bën që shumica e njerëzve t’i neglizhojnë.

“Shumica e rasteve nuk janë të rënda. Ka raste që mund të fillojnë me një rrufë të thjeshtë, tështima, çik dhimbje gryke apo një kollë të thatë. Këtë mund ta bëjë që nga ndotja e ambientit, ndryshimi i temperaturave, ajri i kondicionerit, fenomenet alergjike deri te refluksi stomakut. Prandaj edhe sot, direktiva në botë është që edhe rrufë të kesh, duhet të provosh që nuk ke Covid. Kjo është edhe arsyeja që shumica e njerëzve i neglizhojnë, nuk bëjnë fare, nuk marrin mundimit për të bërë teste.

Rastet janë shtuar në krahasim me vitin që shkoi në këtë periudhë. Duhet të theksoj diçka, që duhet çik kujdes kur simptomat zgjasin. Sepse jo gjithnjë simptomat shkojnë në përpjestim të drejtë me dëmet në mushkri”, tha Jorgji.

Më tej, ai bëri thirrje që kjo situatë duhet marrë seriozisht, pasi në këtë kohë që po flasim po flitet për mutacione të reja që nuk kanë arritur akoma në Europë.

“Duhet marrë seriozisht, pasi në këtë kohë që po flasim po flitet për mutacione të reja që nuk kanë arritur akoma në Europë. Mutacionet që janë parë ditët e fundit në Afrikë dhe që kanë ngritur një lloj shqetësimi, të cilat nuk kanë arritur akoma në Europë”, shtoi doktori.