Rusia po planifikon të aneksojë më shumë territor ukrainas duke përdorur një “manual lojërash” të ngjashëm me atë që përdori për marrjen e Krimesë, deklaroi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA John Kirby.
Duke cituar inteligjencën amerikane, Kirby tha se Rusia tashmë po hedh bazat për aneksim. Duke zbuluar skemën që mund të përdoret në këtë rast, Kirby tha se rajonet e pushtuara të Ukrainës mund të mbajnë referendume “të rreme” për bashkimin me Rusinë që në Shtator.
“Ne duam t’ia bëjmë të qartë popullit amerikan”, u tha Kirby gazetarëve. “Askush nuk mashtrohet prej presidentit rus Putin, i cili po heq pluhurin nga libri i lojërave të vitit 2014“.
Ai akuzoi Rusinë për vendosjen në mënyrë të paligjshme të zyrtarëve pro-rusë për të drejtuar rajonet e pushtuara të Ukrainës, me qëllim organizimin e referendumeve për t’u bërë pjesë e Rusisë.
Rezultatet e votave do të përdoren nga Rusia “për të pretenduar aneksimin e territorit sovran të Ukrainës“, tha Kirby.
Zonat e synuara për aneksim përfshijnë Kherson, Zaporizhia, Donetsk dhe Luhansk, tha ai.
Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014 pas një referendumi i cili u konsiderua gjerësisht si i paligjshëm.
Në të njëjtën kohë, Kirby tha se Shtetet e Bashkuara në ditët e ardhshme do të shpallin një paketë të re ndihme me armë për Ukrainën.
Nga ana tjetër presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy shkarkoi një nënkryetar të shërbimit të brendshëm të sigurisë dhe emëroi një numër drejtuesish të rinj rajonalë.
Zelensky tha se 24 orët e fundit ka patur më shumë viktima dhe të plagosur si pasojë e sulmeve ruse në një numër rajonesh në lindje të vendit.