Çfarë do që të ndodhë, familjeve spanjolle nuk do t’u ndërpritet gazi apo energjia elektrike, çfarë do që të ndodhë, Spanja do të mbrojë pozicionin e industrisë spanjolle, deklaroi ministrja spanjolle e Mjedisit, Teresa Ribera, në një konferencë për median.

Përderisa Ribera shprehu “keqardhje të thellë” se Spanja nuk pajtohej me BE-në, ajo kritikoi Brukselin për mungesën e debatit dhe transparencës rreth planit.

Për momentin, propozimi nënkupton vetëm një rekomandim ligjërisht jodetyrues për vendet anëtare të BE-së për të ulur vullnetarisht konsumin e tyre të gazit.

Megjithatë, zëvendëspresidenti ekzekutiv i Komisionit të BE-së, Frans Timmermans, tha se “nëse situata përkeqësohet” Komisioni Evropian do të jetë në gjendje të kërkojë shkurtime të detyrueshme nga vendet anëtare të BE-së nëse miratohet drafti.

“Spanja ka përmbushur detyrat e saj sa i përket diversifikimit të energjisë. Kjo është bërë vazhdimisht dhe duke paguar një çmim më të lartë se partnerët e tjerë evropianë. Situata e çdo vendi është unike dhe është rezultat i përpjekjeve historike që janë paguar nga konsumatorët”, tha Ribera.

Ribera shpjegoi se Spanja është depoja e rreth një të tretës së të gjithë kapacitetit të depozitimit dhe rafinimit të gazit natyror të lëngshëm të BE-së dhe ka investuar shumë në burimet alternative të energjisë së rinovueshme.

Ajo u ankua se Spanja i ka kërkuar BE-së të përmbushë angazhimet rreth ndërlidhjeve energjetike për dy dekada.

“Pavarësisht kësaj kërkese, ka pasur mosveprim të vazhdueshëm nga ana e BE-së. Prandaj, Gadishulli Iberik është praktikisht një ishull energjik, i cili gjithashtu kufizon aftësitë tona për të ndihmuar vendet e tjera të BE-së”, tha Ribera.

Ajo shtoi se rezervat energjetike të Spanjës janë 80 për qind, krahasuar me rreth 50 për qind me pjesën tjetër të Evropës.