Ekspert i sistemeve të informacionit, Igli Gjelishti, rënien e faqeve online të qeverisë e komenton si një sulm që tentonte të dëmtonte sistemet dhe fshirjen e të dhënave, por jo nxjerrjen e tyre.
Ai tha për MCN Live se gradualisht po punohet që të kthehen në punë shërbimet e tjera, por garantoi se nuk ka sisteme që janë prishur dhe po punohet që të mos vazhdohet më tej sulmi, aty ku u ndërpre.
“Një sulm i tillë ka prekur shumë vende të Europës, është një sulm që maskohet si Ransomware, ku keqbërësit bllokojnë të dhënat e një sistemi dhe pastaj kërkojnë shpërblim për kthimin e të dhënave në gjendja normale. Ky nuk ka qenë sulm i tillë, por bllokim i shërbimit në servera tek faqet qeveritare. Tek sistemet e shërbimeve është tentuar të futen viruse duke kompromentuar sistemin operativ. Në asnjë moment nuk është tentuar që të arrihet tek të dhënat dhe të merren të dhënat.
Nuk ka qenë qëllimi marrja e informacionit, por prishja e serverave. Në luftën kibernetike, është shumë e rrallë që një sulm masiv të ndodhë dy herë në të njëjtën mënyrë, pasi pas një sulmi merren masa që të mos ndodhë dy herë.
Ky nuk është sulm i parë para pesë vitesh, ka nisur në shkurt në vendet e rajonit. Nuk janë sulme nga njerëz të thjeshtë, zakonisht mbas kanë shtete. Ky sulm ka arritur një farë suksesi pasi bllokoi shërbimin për disa ditë, qëllimi final ishte shkatërrimi i infrastrukturës, i cili do kërkonte shumë kohë për t’u rikuperuar.
Sulme të këtij tipi ndalohen nga sistemet mbrojtëse në mënyrë të vazhdueshme. Sulmi i maskuar si Ransomware nuk lejoi të arrihet në qëllimin final, u arrit të lokalizohet shpejt dhe nuk u lejuan sulmuesit të realizojnë planin e tyre. Nxjerrja offline është bërë që sulmi të mos shkojë përpara. Koha që po merret për ti kthyer një nga një sistemet. Sulmi nuk u realizua, por suksesi i vetëm do ishte se shërbimi i ndërpre për tre ditë. 99% e sistemeve janë të paprekura dhe nuk kanë nevojë për back up dhe të dhënat janë të sigurta”, tha ai.