Trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, e ka piketuar skemën me të cilën do të zbresë në fushë kur të nisë sezoni i ri. Ai do të vijojë me formacionin 4-3-3 me të cilin luajti në sezonin e kaluar me ndonjë ndryshim të vogël. Tashmë trajneri i Barcelonës i ka të gjithë “ingredientët” e duhur për të kolauduar edhe më mirë këtë skemë. Pas Ferran Torresit e Obamejangut të ardhur në sezonin e kaluar, në ekip janë afruar dhe Rafinja dhe Levandovski, pa harruar këtu dhe Osman Dembelenë, i cili ishte pjesë e klubit dhe do të vijojë edhe për dy sezone.
BARCELONA
Shqetësimi i Ksavit është se me çfarë tredhëmbëshi do të zbresë në fushë kur të nisë sezoni i ri. Nëse pyet tifozët e Barcelonës, ata e kanë bërë zgjedhjen e tyre: Ansu Fati, Robert Levandovski e Rafinja. Për tifozët e Barcelonës ky tredhëmbësh mund të kthejë Barcelonën e frikshme dhe të kujtojë tredhëmbëshat e artë të klubit. Sfida do të jetë e madhe, pasi po flasim për figura të jashtëzakonshme në këtë klub. Gazetat spanjolle kanë renditur 5 tredhëmbëshat më të mirë në historinë e klubit, veçanërisht këto tri dekadat e fundit.
MESI-SUAREZ-NEJMAR
Ka qenë tredhëmbëshi i fundit i Barcelonës që i ka bërë tifozët katalanas të përjetojnë mbrëmje magjike e plot suksese. Treshja jug-amerikane kanë thyer çdo rekord të mundshëm falë 364 golave dhe 211 pasimeve për gol (asiste) në harkun e tri sezoneve. E njohur me shkurtimin “MSN”, kjo treshe cilësohet gati e papërsëritshme nga tifozët katalanas. Në fund ata regjistruan 9 trofe, mes të cilëve dy tituj në La Liga dhe një Champions.
MESI-ETO-HENRI
Kur Guardiola mori drejtimin e Barçës në vitin 2008 iu desh të merrte vendime të forta, duke i bërë dalje Ronaldinjos dhe zëvendësuar me francezin Henri. Ishte Barça që fitoi gjithçka, shtuar fitoren 2-6 në Madrid. Mesi e mbylli sezonin me 38 gola, Eto dy më pak dhe Henri 26, të tre së bashku 100 gola!
MESI-ETO-RONALDINJO
Ishte Barça e Frenk Rajkardit, orkestruesi i një skuadre të shkëlqyer falë një tredhëmbëshi si Mesi, Eto e Ronaldinjo. Arritën të fitonin Ligën e Kampioneve në sezonin 2005-2006 kundër Arsenalit kur Leo ishte vetëm 18 vjeç.
FIGO-RIVALDO-KLAJVERT
Luajtën të tre së bashku vetëm për një sezon (1999-2000). Luis van Gal gjeti formulën e duhur për t’i “kurdisur” së bashku. Të tre e mbyllën sezonin me 62 gola. Stoiçkov-Romario-Laudrup – Kjo treshe ishte pjesë e Barcelonës së viteve ’90, e pagëzuar si skuadra e ëndrrave (Dream Team), që dominoi futbollin spanjoll. Por kjo treshe luajti së bashku vetëm në sezonin 1993-1994.