Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal sugjeroi se asetet ruse të konfiskuara si rezultat i sanksioneve perëndimore mund të përdoren për të financuar rindërtimin e Ukrainës pas luftës.
“Pasuritë e ngrira të Rusisë, sipas vlerësimeve të ndryshme, variojnë nga 300 deri në 500 miliardë dollarë”, u tha Shmyhal delegatëve nga Konferenca e Rimëkëmbjes së Ukrainës në qytetin zviceran të Luganos.
“Autoritetet ruse kanë nisur këtë luftë të përgjakshme, kanë shkaktuar këtë shkatërrim masiv dhe duhet të shpallen fajtorë”, shtoi Shmyhal, duke thënë se ”Ukrainës do t’i duhen rreth 750 miliardë dollarë për të rindërtuar infrastrukturën e saj pasi të përfundojë lufta”.
Ndër ata që shkuan në Lugano për takimin ishte edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e cila premtoi se ”Bashkimi Evropian është gati të ndihmojë Ukrainën të financojë rindërtimin e saj të pasluftës”.
”Evropa ka një përgjegjësi të veçantë dhe një interes strategjik për të qenë me Ukrainën në çdo fazë të procesit”, tha Von der Leyen në konferencë.