Ekipi i FC Lugano me kënaqësi ka njoftuar se ka firmosur me futbollistin kosovar, Uran Bislimi. Lugano dhe mesfushori 22 vjeçar kanë nënshkruar kontratë katër vjeçare, e cila do të jetë e vlefshme deri me 30 qershor të vitit 2026.

Bislimi ishte një nga lojtarët kyç tek skuadra e Shafhausen, teksa së fundmi ai ishte edhe kapiten i klubit.

Bislimi ka lindur dhe është rritur në ekipin e Bazelit të Zvicrës, prej nga u transferua në ekipin e Shafhausen në qershor të vitit 2019. Me ekipin e Challenge League, Bislimi bëri paraqitje shumë të mirë me çka klubi kishte së fundmi kishte vendosur ti beson edhe shiritin e kapitenit.

Ai e mbylli sezonin e kaluar në Challenge League duke luajtur dy ndeshje të shkëlqyera në plej-offin e promovimit në Superligën e Zvicrës, mirëpo ekipi i tij nuk arriti të mposhtë Luzernin duke qëndruar edhe më tej në Ligën e Dytë zvicerane. Ndërkaq, tani me skuadrën e re Lugano do të luajë në Superligën Zvicerane. Bislimi te Lugano do të gjejë edhe dy futbollistë shqiptar, Albian Ajdarin si dhe Kreshnik Hajrizin.

“Uran Bislimi është një futbollistë që rrit konkurrencën e mesfushës tonë. Ai mund të mbulojë disa role, ka teknikë të mirë dhe vizion të lojës. Në sezonet e fundit ai ka qenë lider në ekipin e Shafhausen, jemi shumë të lumtur që do ta kemi në ekipin tonë”, ka deklaruar drejtori sportiv i FC Lugano, Karlos Da Silva.