Dy vëllezërit shqiptarë, Artan dhe Arnold Balla, kanë mahnitur jurinë e show-t të talenteve i njohur në të gjithë botën “America’s Got Talent”.
Me aftësitë e tyre akrobatike, ata kanë lënë pa fjalë publikun e gjerë amerikan, por edhe jurinë që përbëhet nga emra shumë të njohur si Simon Cowell, Heidi Klum dhe Sofia Vergara.
“Ditën do jem avokat, natën do jap shfaqje”, tha vëllai i vogël, Artani, i cili studion drejtësi.
Pas performancës, e cila ishte e arrirë, vëllezërit Balla morën ovacionet e publikut dhe jurisë.
“Nuk e kisha parë asnjëherë këtë akt”, tha Heidi Klum.
“Ishte mahnitëse! Mund t’ju shikoja ju djema për një kohë të gjatë”, tha Vergara.
Edhe Simon Cowell e pëlqeu aktin, por pati një kritikë të vogël. Nuk i pëlqyen topat portokalli që vëllezërit Balla përdorën.
Por pavarësisht kësaj kritike të vogël ata kaluan këtë fazë me tre “PO”, duke hyrë mes talenteve më të mira të Amerikës.